Dy kërkesat që u artikuluan nga mbrojtja e Veliajt u rrëzuan po ashtu nga GJKKO. Avokati Plarent Ndreca kërkoi që të gjithë fashikujt hetimorë t’iu vendosen në dispozicion në mënyrë të dixhitalizuar, por gjyqtarja argumentoi se mbrojtja ka pasur mundësi të njihet me provat, të cilat i janë vënë në dispozicion edhe fizikisht Veliajt. Ndreca tha po ashtu se në 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura nga gjyqtarja e seancës paraprake dhe kërkoi po ashtu t’iu vendosen në dispozicion.
“Janë 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze procedurale”.
E vetmja pengesë që Veliajt të mos jetë në seancë është kafazi i qelqtë që ishte një nga kërkesat tona për të krijuar mundësinë që Veliaj të ishte krah avokatit, kërkesë që u relativizua nga gjykata, ndërkohë që është kriter kushtetues që palët duhet të jenë barabartë, të komunikojnë me avokatin në mënyrë dinamike. Kjo është kërkesë që u mbështet edhe nga Helsinki, e konsideroi instrument degradues për personat që janë në bankat e të akuzuarve, kjo është e vetmja pengesë që bën të pamundur që Veliajt të jetë në GJKKO. Ai ka dëshirë e vullnet të përballet, por në kushte të barabarta siç kushtetuta e paracakton”, tha Ndreca.
Edhe Veliajt, si Meta, iu rrëzua kërkesa për të mos qëndruar në kafazin e qelqtë gjatë seancave gjyqësore.
“Ai ka dëshirë e vullnet të përballet, por në kushte të barabarta siç kushtetuta e paracakton”, tha Ndreca jashtë seancës.
Kërkesat e Ndrecës u panë nga ana e SPAK si përpjekje për të zvarritur procesin. Prokurori Altin Dumani deklaroi se prej 2 muajsh, avokatët e Veliajt paraqesin kërkesa artificiale, ndërsa, prokurori tjetër Ols Dado kundërshtoi kërkesën e Veliajt për të mos qëndruar në kafaz, me një argument qesharak dhe fyes po për nivelin e një sharlatani të ndodhur në sallë si prokuror i pa arsimuar por i katapultuar nga një mardhënie e dyshimtë me ish prokuroren Ina Rama është shaka me viktimën: “Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje”, tha Ols Dado. Kjo deklarat e tij detyroi gjyqtaren t’i tërheqi vëmendjen.
Ndërkohë, dosja Veliaj do të ndahet në dy pjesë, pasi GJKKO pranoi kërkesën e 7 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, mes tyre biznesmenët Abule, Bektashi apo edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.

