Pas reagimeve të forta që pati pas kandidimit të Meremes dhe deklaratës së Mulit se ajo i plotësonte gjithë kushtet për regjistrim, sot Doktori e thirri Mulin dhe urdhëroi urgjent shkarkimin e saj.
– Doktor, po nuk është e rrezikshme? i tha Muli. Se është me ty.
– E di që është me mua, por nuk është si mua, i tha Doktori. Ma hiq qafe se na telendis.
Atëherë Muli thirri me urgjencë kryesinë e vogël të partisë për të marrë vendimin.
-Ju kam thirrur të shkarkojmë Meremen, tha Muli në fillim të fjalës së tij.
-Po ti na the dje se i plotëson kushtet.
– I plotëson, por jo për Doktorin, tha Muli. Lexova në shtyp cilësitë e saj dhe aty e kuptova që kisha gabuar.
-Çfarë cilësish? pyeti Paloka.
– Po kriterin e moshës e kishte keq. Ishte nën tetëdhjetë vjeç, duke na prishur një standard që na është dashur 35 vjet ta arrijmë.
– Këtu ke të drejtë, tha Strazimiri.
– Pastaj pashë që ishte njeri pa përvojë politike. Asnjë përvojë si shtetare, asnjë akuzë, asnjë vrasje, asnjë denoncim për korrupsion. Dukej si e dalë nga epruveta. Kjo fyen biografinë e Doktorit, pasi duket sikur ai i ka bërë vërtet ato që e akuzojnë.
-Shumë e vërtetë, tha Albana.
– Në fund kishte dhe një problem me pamjen e jashtme, tha Muli. Ajo konkurronte edhe aty me Doktorin. Nuk mund ta lejonim këtë gjë.
– Shumë e vërtetë, tha zonja Karo. Atë s’e merr dot në podcast, se të hyjnë qimet e flokëve në mikrofon.
-Atëherë të votojmë, tha Muli, që të shkarkohet nga kandidate për kryetar. Doktori do jetë i vetëm në garë, derisa PD të prodhojë një të dytë si ai.

