Shqiptarët, të fundit të “egër” në Europë… dhe në xhepa!

Shqiptarët, të fundit të “egër” në Europë… dhe në xhepa!

Nga Anri Bala

Me një kërkim të thjesht në rrjet, e kupton se Europa, ndryshe nga ne, nuk e përjashton në mënyrë absolute zhvillimin ekonomik në zonat e mbrojtura, madje kemi me dhjetra shembuj ku ndërhyrja njerëzore nuk është kategorisht e përjashtuar, por minimale. Ama në shumë të tjera, jo vetëm që ekzistojnë struktura të thjeshta për lëvizje për vizitorë, por brenda parqeve kombëtare mund të gjesh struktura akomoduese dhe shërbimi si hotele, restorante, shtëpi pushimi, apo objekte më të thjeshta për vizitorë.

Sigurisht, një shtet mund të zgjedh një model mbrojtjeje ku natyra ka përparësi ndaj çdo zhvillimi turistik, por besoj se shqiptarët e meritojnë një përgjigje: Europa e do Shqipërinë të egër… bashkë me shqiptarët? Pra të egër në natyrë por edhe në xhepa?! Ndërkohë vetë as në natyrë dhe as në xhepa nuk është e tillë. E mbani mend betejën për Lumin Vjosa, si “I VETMI” lum i egër i mbetur në Europë, e lloj lloj epiteti që i vendosën nga pas. Po mirë, këta “idiotët” që i kanë “zbutur” të gjithë lumenjtë e tyre, ne na i kërkojnë shembujt për të rregulluar “gabimet” e tyre.

Kjo nuk është ftesë që të mos shkatërrojmë asgjë që na i ka fal perëndia, qysh prej kur ka rënë rrezja e parë e diellit në këtë tokë, por është ftesë për të kuptuar sinqeritetin e europianëve kundrejt “egërsisë” së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Aq më pak ta shohim një park kombëtar si një tabelë dekorative për turistët dhe as një zonë ku ligji ndryshon sa herë që shfaqet një projekt me shumë zero.

Ama duhet të pyesim veten, nësë anullojmë një investim vetëm pse është i madh, i shtrenjtë dhe po na e bëjnë disa të huaj, nga Amerika apo Katari qofshin ata, problemi nuk është prejardhja e investimit por rregulli, transparenca dhe respektimi i standardeve. Disa janë skeptikë, sepse shkelja e ligjit në këtë vend është bërë zakon në projekte të mëparshme që nuk ofrojnë kurrfarë transparence dhe kryesisht vendimet merren në dëm të qytetarit. Por nëse kundërshtojmë zhvillimin vetëm pse shteti është abuziv dhe i pasinqertë, çfarë modeli ekonomik po propozojmë?

Pagesat e faturave nuk zgjidhen duke tundur disa flamingo prej kartoni, sepse në këtë vend qytetari është vërtetë i pari, sidomos kur vjen puna për t’i kërkuar paratë që i kanë mbetur në xhepa!

Teksa ne diskutojmë modelin ekonomik që do të zgjedhim, nëse investimet e mëdhaja dhe të huaja janë “armiku jonë i jashtëm”, Greqia fqinje mirëpret investimet e huaja dhe i sheh si pjesë e ekonomisë së saj të konsoliduar. Kot nuk thonë që teksa mendohet i zgjuari, budallai ka kryer punë. Greqia është njëkohësisht “budallai” dhe shembulli më i mirë se si ofrohen shërbimet në sektorin e turizmit. Investimet në resorte dhe hotele nuk konsiderohen automatikisht kërcënim vetëm sepse vijnë nga jashtë, por nga ana tjetër nuk do të thotë se në Greqi lejohet çdo gjë. Prandaj zgjedhja nuk është mes natyrës dhe investimit… por një shteti që vendos rregulla dhe jo një shteti që i ndryshon rregullat sipas projektit.

Duam pejzazhe të egra, lumenj të egër, bregdet të egër, lugina dhe laguna të egra… por mërzitemi kur na “egërsohen” dhe xhepat! Nuk mund të jemi kundër investimeve, por investime me kushte dhe rregulla. Nuk mund të jemi kundër investimit në zonat e mbrojtura, por duhen propozuar modele, ku është e mundur të realizohet…çfarë mund të realizohet, e ku nuk është e mundur të realizohet dhe sjell pasoja për ekosistemin. Nuk mund të themi vetëm se Shqipëria nuk është në shitje, kur nuk propozojmë një model se si mund të zhvillohet Shqipëria pa u shitur.

Një protestë mund të zgjasë 13 ditë, 131 ditë apo 1300 ditë… pesha e saj nuk matet me ditët që qëndron në rrugë, por me ndryshimin që lë pas kur rrugët boshatisen. /Ekskluzive.al