FOTOT/ Kush i vuri flakën Tiranës? Bëma e “pleqëve” të veshur me kostum “studentor” nga ilegalët e PD-së, Qorrit, Lapajt dhe Shehajt

FOTOT/ Kush i vuri flakën Tiranës? Bëma  e “pleqëve” të veshur me kostum “studentor” nga  ilegalët e PD-së, Qorrit, Lapajt dhe Shehajt

Prej 8 orësh, në qendër të Tiranës po zhvillohet një guerrilje urbane, pas një proteste të thirrur përpara Ministrisë së Arsimit. E kamufluar si protestë studentore, por e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ajo që vazhdon të shihet në rrugët e kryeqytetit janë skena dhune, ku protagonistë nuk janë studentët, por militantë me fytyra të mbuluara, të cilët po shkatërrojnë gjithçka që u del përpara, përfshirë edhe bankomatet.

Arena e dhunës nisi në 14:00 te Ministria e Arsimit, në mbrëmje u zhvendos në hyrje të “Rrugës së Durrësit”, ndërsa aktet e dhunës përshkallëzuan me hyrjen e disa protestuesve të maskuar brenda në Bashkinë e Tiranës, ku në katin e parë arritën të ndezin flakadanë. Aktualisht, në rrugët e kryeqytetit kanë mbetur grupe të vogla protestuesish të maskuar, të shpërndarë në disa pika për t’iu shmangur Policisë, të cilët vijojnë aktet e vandalizmit duke vënë flakë, siç ndodhi edhe te Pazari, te rruga e Barrikadave, në afërsi të Brrylit dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.

Askush nuk e ka shpjeguar qartë se cilat ishin kërkesat e protestuesve dhe përse kishin zgjedhur të protestonin pikërisht sot, në një ditë kur Shqipëria hodhi një tjetër hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deri më tani raportohet për 40 të shoqëruar dhe 19 të lënduar: 6 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë, njëri përfaqësues i trupit diplomatik.

Me thirrjet “dorëheqje”, “revolucion”, “ju erdhi fundi”, ata fillimisht protestuan të qetë për një orë para Ministrisë, por rreth orës 15:00 nisën aktet e dhunës. Vezë, molotovë, gurë e letra higjienike u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa me bojë lanë disa mbishkrime mbi mure “turp”, “Ikni”, “këtu vendosim ne”. Raportohet për 40 të shoqëruar deri më tani.

Dhuna duket një strategji e menduar nga protestuesit, të cilët vijën e parë dhe sulmet ia kishin lënë një grupi të rinjsh me masa të zeza apo kirurgjikale me qëllim që mos të identifikoheshin nga policia. Të rinjtë shkulën kangjellat e trotuarit dhe nisën t’i hedhin në drejtim të godinës. Sulmuan me kangjella edhe një prej portave të Ministrisë, çka bëri që një grup protestuesish të futeshin brenda oborrit të godinës.

Deri në këto momente forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë. Menjëherë krijuan një kordon sigurie brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht thirrjeve të bluve, protestuesit nuk i ndalën sulmet, kësaj radhe edhe në drejtim të vetë efektivëve. Të rinjtë e maskuar hodhën edhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ku thyen edhe disa xhama.

Policia ndërhyri duke hedhur spraj me piper, gaz lotsjellës si dhe sasi të mëdha uji dhe fillimisht arriti të shtyjë turmën e dhunshme larg godinës së ministrisë. Protestuesit e ringjallën për disa herë aksionin e dhunshëm. Më pas efektivët vendosën një perimetër sigurie që nisi nga Ministria e Arsimit e deri në qendër të kryeqytetit. Protestuesit u dukën sikur u shpërndanë. Por të organizuar me dy grupe, ata vijuan përplasjen me forcat e policisë, duke u kthyer herë pas herë në afërsi të Ministrisë. Policia forcoi kapacitetet në Rrugën e Durrësit ndërsa përgjigjej me gazlotsjellës dhe ujë për të mos i lejuar të afroheshin.

Turma u rikthye në hyrje të rrugës, këtë radhë duke u vënë flakën objekteve të ndryshme të bizneseve. Sulmit nuk i shpëtoi edhe një institucion financiar që u shkatërrua plotësisht. Në mbrëmje, rreth orës 20:30 aktet e dhunës u përshkallëzuan. Protestuesit e maskuar arritën të futen në bashkinë e Tiranës dhe të ndezin flakadanë e të thyejnë çfarë gjetën para.

Edhe pse u promovua si protestë e studentëve ndaj kushteve në të cilat gjendet arsimi, në të morën pjesë jo vetëm “Flamingot” por edhe eksponentë të opozitës si deputeti Gjin Gjoni Ilirjana Kuçana e PD, eksponentë të FRPD, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri deri të dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi i cili ishte në terren duke ndarë video nga protesta në rrjetin e tij social Facebook.

Protestuesit pa identitet të maskuar, shkatërrojnë filialin e ‘Iute Credit’

Protestuesit hyjnë në bashkinë e Tiranës, thyejnë xhama e objekte! Shoqërohen disa prej tyre

Protestuesit thyejnë stolin e mermertë, e hedhin në rrugë

Pas dhëndrit të Berishës, edhe deputeti Gjin Gjoni në protestën te Ministria e Arsimit

Të rinjtë e maskuar shkulnin kangjellat para Ministrisë së Arsimit

Xhamat të bëra copash, pamjet e dëmeve të sulmit me pllaka trotuari ndaj Ministrisë së Arsimit

Të rinjtë e maskuar sulmojnë me pllaka trotuari godinën