Avokati i Erion Veliajt i ka paraqitur një kërkesë informacioni Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me dekretin e emërimit të prokurorit Ols Dado dhe për përfundimin e statusit të tij si magjistrat.
Sipas shkresës së paraqitur nga Plarent Ndreca, kërkesa e dorëzuar në shkurt të vitit të shkuar lidhur me dekretin për Dadon, nuk është shqyrtuar nga i gjithë organi i KLP, por vetëm nga nënkryetari Erind Gërmenji. Veliaj pyet KLP-në nëse ka dijeni për këtë.
“Ndodhur në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse keni qenë në dijeni të faktit se z. Gërmenji ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur personalisht lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të z. Ols Dado, për shkak të mospërmbushjes së kritereve ligjore për emërimin e tij, duke i hequr kompetencën Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë një vendim kolegjial mbi kërkesën tonë”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë thuhet se në mars të vitit të shkuar, Veliaj dhe avokatët janë informuar se “KLP shqyrtoi kërkesën tonë”, por më vonë ka rezultuar ndryshe. Avokatët thonë se Gërmenji ka shprehur si qëndrim se pavlefshmëria e dekretit nuk mund të konstatohej pasi Dado e kishte kaluar rivlerësimin kalimtar.
“Nuk rezulton që kërkesa jonë të jetë shqyrtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ kolegjial, por vetëm nga nënkryetari i tij, z. Erind Gërmenji, i cili në këtë shkresë ka mbajtur edhe qëndrim mbi themelin e kërkesës, duke arsyetuar se nuk mund të konstatohej pavlefshmëria e pretenduar për shkak se z. Ols Dado kishte kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar.”
Më tej thuhet se paraqitja në seancë e përfaqësueses së KLP, Danja Hobdarit pa një vendimmarrje kolegjiale, por vetëm me shkresën e Gërmenjit, bën që qëndrimet dhe argumentet të “rezultojnë të pambështetura në një mandat institucional të miratuar nga organi kolegjial kushtetues.”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Gjykatës Administrative që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj të mos legjitimohet si paditës në procesin ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit të presidentit që e emëroi Dadon prokuror në 2008 pa shkollën e Magjistraturës.
Si Veliaj, ashtu edhe avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca thanë në gjykatë se KLP po përpiqet të mbyllë procesin në rrugë procedurale në mënyrë që gjykata të mos e shqyrtojë themelin e çështjes. Ata flasin për një “harmoni institucionale” për të mbrojtur Dadon, nisur edhe nga fakti se mbrojtja e Prokurorit dhe KLP pretendojnë se Veliaj nuk është palë legjitime që ta ngrejë çështjen në Gjykatën Administrative.

