Nga Mero Baze
Nuk di pse Sali Berisha ka vendosur të policojë procedurën e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe të bëjë politikë me të. Kur e dëgjon, mendon se ky më në fund ka humbur shpresat që po i heqin sanksionet SHBA dhe Britania e Madhe dhe kërkon të bëhet evropianist që të duket si viktimë e botës anglosaksone. Pastaj kur shikon gjuhën e tij ndaj ambasadorit të BE në Tiranë dhe reagimin e gjithë ambasadorëve të BE ndaj tij, duket sikur është nën sanksione më të forta nga BE se sa nga Britania apo SHBA që e kanë shpallur.
Kështu që gjithë ky policim që i bën politikës së integrimit të qeverisë për hapjen e negociatave, i shkon dëm sa hap gojën.
Më lehtë do ta kishte që të jepte kontributin e tij si lider proevropian në PD. Madje do ta kishte dhe pa kosto. Fjala vjen, së pari reformonte PD, e hapte atë dhe vendoste rregulla të qarta loje. Pastaj të respektonte statutin e partisë që e ka shkruar vetë dhe sidomos nenin që thotë se kryetari i partisë jep dorëheqje pas një humbjeje të thellë.
Pastaj hapte garën dhe nuk përjashtonte gjithë kandidatët për të qenë i vetmi në garë.
Ka dhe plot detaje të tjera që mund ta bënin atë një udhëheqës me tipare evropiane.
Ai nuk ka në dorë as kapitujt e negociatave, as eficencën e qeverisë për të përshtatur ligjet, as prokurimet publike, as pjesëmarrjen apo skualifikimin e kompanive evropiane në gara tenderash në Tiranë, pra s’ka në dorë asgjë nga ato që BE i kërkon qeverisë. Ai ka në dorë vetëm gjërat që i kërkohen një politikani shqiptar për të qenë proevropian. Ai s’ka asnjë qime floku perëndimore. Dhe thinjat i ngjajnë më shumë Karaxhiçit dhe Stalinit se sa ndonjë fytyre evropiane.
Por ai çdo gjë që bën vetë si politikan e ka antievropiane, antiperëndimore dhe kundër çdo standardi që i kërkohet një partie politike që do të jetë pjesë e një vendi në Bashkimin Evropian.
Nuk di pse ka zgjedhur të bëjë opozitë edhe si proevropian dhe si armik i Evropës në çdo hap të jetës së tij.
Të ishte pak guximtar dhe ta bënte PD një parti antievropiane, siç e bëri për katër vite një parti antiamerikane, do frymëzonte më shumë njerëz se sa këta me të cilët është katandisur që numërohen dhe nga fotot.
Të paktën do kishim një parti të sinqertë në Shqipëri, që përfaqëson ata që nuk e duan Perëndimin dhe që mund të gjenin më shumë arsye në jetën e tyre kundër Perëndimit se sa pro tij.
Kështu mund të hynte në histori së paku si një udhëheqës i sinqertë në fund të jetës së tij dhe s’ka pse bën beteja “evropianiste” nga SHQUP, një ndërtesë që dhe historinë e ka antievropianiste.
Se kështu si po shkon puna, ai ka më shumë dilema për Perëndimin se sa ka Perëndimi dilema për Shqipërinë. Perëndimi thjesht do kohë dhe prova të na bëjë pjesë të vetën, Berisha i ka harxhuar dhe kohën dhe provat për ta bindur Perëndimin se nuk ka punë me të.

