HomeSport

Dinastia Strakosha, histori suksesi në Greqi: Nga Foto te Thomas, të dy kanë fituar titullin kampion

Dinastia Strakosha, histori suksesi në Greqi: Nga Foto te Thomas, të dy kanë fituar titullin kampion

“Dardha bie nën dardhë”: një shprehje e vjetër që te familja Strakosha tingëllon si një fat i shkruar para kohësh. Sepse kur bëhet fjalë për portën, për dorezat dhe për trofetë, historia duket sikur përsëritet brez pas brezi.

Këtë fundjavë, Thomas Strakosha ngriti lart titullin kampion të Greqisë me AEK-un, duke hyrë më në fund në të njëjtin piedestal ku, për gati tre dekada, qëndron vetëm emri i babait të tij, Foto Strakosha.

Në vitin e madh 1997, ndërsa Shqipëria digjej nga trazirat dhe pasiguria, Foto Strakosha festonte në Greqi me fanellën e Olimpiakosit, duke u bërë shqiptari i parë që fitonte kampionatin helen. Ishte një triumf që mbeti gjatë i vetmuar, thuajse si një histori që priste vazhdimin e saj. Dhe pastaj erdhi nga djali i tij.

U deshën 29 vite që Thomasi të barazonte të atin në këtë garë simbolike mes dy brezash. Një rrugëtim i gjatë, me ulje-ngritje, sakrifica dhe rikthime. Ai e nisi aventurën në Greqi si një djalosh me mbiemër të rëndë mbi supe, u rrit në Itali, ku fitoi respekt dhe trofe me Lacion, provoi Anglinë, ku shkëlqimi iu zbeh përkohësisht, por nuk u dorëzua kurrë.

Rikthimi në Greqi nuk ishte thjesht një transferim. Në këtë sezon, Thomas Strakosha ka qenë një mur i vërtetë për AEK-un.

Në 30 ndeshje kampionati, ai e ka mbajtur portën e paprekur në 18 prej tyre, një statistikë që flet më shumë se çdo koment. Qetësia në dalje, refleksi në momentet vendimtare dhe siguria që u ka dhënë shokëve të skuadrës kanë qenë armët e tij më të forta drejt titullit kampion. Madje, prej 26 tetorit 2025, AEK-u i Strakoshës ka kompletuar 22 ndeshje radhazi pa u mposhtur. Një seri që ngjan me marshimin e heshtur të një gardiani që nuk kërkon protagonizëm, por që di të shfaqet sa herë skuadra ka më shumë nevojë.

Edhe te penalltitë ai ka spikatur, duke ndalur tre të tilla gjatë sezonit dhe duke u kthyer në heroin e heshtur të shumë mbrëmjeve. Tani, horizonti i Tomasit shkon përtej Greqisë. Europa dhe Liga e Kampioneve janë sfida e radhës. Ndërkohë, në këtë histori të bukur mes babait dhe djalit, duket se ka mbetur vetëm edhe një kapitull për t’u shkruar: shiriti i kapitenit të Kombëtares shqiptare. Dhe, duke parë rrugën që ka ndjekur deri tani, mund të themi pa frikë se një ditë edhe ai moment do të jetë realitet.

Klan News