Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi nga 1 janari i 2027

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi nga 1 janari i 2027

Parlamenti i Greqisë ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke vendosur që masa të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Nisma synon të mbrojë të miturit nga rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale dhe ndikimi i tyre në shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve. Projektligji u paraqit nga Akis Skertsos, ministri i Shtetit përgjegjës për koordinimin e politikave qeveritare, dhe u miratua me mbështetjen e partisë në pushtet, Demokracia e Re.

Ministri grek për Qeverisjen Digjitale dhe Inteligjencën Artificiale, Dimitris Papastergiou, e cilësoi masën si një zgjidhje të nevojshme, efektive dhe proporcionale, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Do të ishte shumë e lehtë të mos bënim asgjë dhe thjesht të prisnim një rregullore evropiane ‘perfekte’. Por sfida është pikërisht kjo: fëmijët po kalojnë çdo ditë gjithnjë e më shumë kohë në botën online”, deklaroi Papastergiou.

Sipas tij, një qeveri e përgjegjshme duhet të ndërhyjë për të përballuar këtë problem. Ministri e krahasoi ndalimin e ri me masat që Greqia ka ndërmarrë për të kufizuar aksesin e të rinjve te alkooli dhe produktet e duhanit.

Ligji pritet t’u kërkojë platformave të zbatojnë mekanizma për verifikimin e moshës së përdoruesve, ndërsa zbatimi i tij do të nisë në fillim të vitit 2027.

Vendimi i Athinës vjen në një kohë kur disa vende po shqyrtojnë ose po miratojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, mes shqetësimeve për sigurinë online, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe kohën e tepërt para ekranit.