Antena
Beteja e sotme e futi Mulin në siklet. Paradite ishte beteja e tij, beteja antike e PD-së, që e nxori Mulin në krye.
Marshimi nisi nga selia e PD-së. Kortezhi qëndroi disa minuta pranë urës së Lanës, në shenjë nderimi ndaj sakrificës së njërit prej drejtuesve të protestës, Klevesit, i cili rrezikoi jetën duke çarë mes përmes ujërave të Lanës për t’i shpëtuar zemërimit të Antifës disa ditë më parë.
Pas kësaj, kortezhi vazhdoi betejën para Ministrisë së Arsimit.
Urrejtja ndaj asaj godine lexohej në ajër. Vetë Muli tregoi për vuajtjet e tij 14-vjeçare për të marrë diplomën, nga viti 1991 deri më 2004. Tortura që ajo ministri i ka bërë për ta detyruar të lexonte libra është e patreguar.
Pasi hodhën disa molotovë aty, u nisën drejt Kryeministrisë, ku u hodh vallja e Tropojës nën ritmin e saj të njohur, duke kënduar këngën për Sali Berishën.
Pastaj u shfaq përfaqësuesi i Antifës. Ai e njoftoi Mulin se protesta e Tropojës së Vjetër kishte mbaruar. Tani e kishte radhën protesta e Lekbibajt.
– Për 35 vjet na keni marrë shpirtin, – i tha përfaqësuesi i Antifës. – Gjithë pushtetin e kanë pasur Tropoja dhe Viçidoli. Tani ka ardhur radha jonë. Lekbibaj duhet të zërë vendin që i takon. Ora juaj ka mbaruar.
Muli e përmbajti veten dhe e ftoi për bisedime.
– Dakord jemi, – tha. – Po i tërheqim forcat tona, por na kanë mbetur molotovët te selia. Ejani, furnizohuni dhe vazhdoni. Do të na keni në mbështetje. Për pushtetin merremi vesh më pas.
Dhe kështu u bë.
Protestuesit e Antifës shkuan në selinë e PD-së, u furnizuan me molotovë dhe fishekzjarrë dhe u nisën në luftë.
– E kemi problem këtë rivalitet, – tha Muli. – Nuk është e vërtetë që e kemi persekutuar Lekbibajn këta 35 vjet në PD. Kanë pasur edhe ata përfaqësuesit e tyre, por janë shumë ambiciozë. Sidoqoftë, ua lëmë radhën të luftojnë, pastaj flasim.
– Kjo është betejë historike, – tha Leloja. – Na duhet një Mukje e re që të merremi vesh. Lufta për pushtet në Tropojë duhet të reflektohet në të gjithë vendin. Ka edhe zona të tjera që janë persekutuar nga pushteti. Madje edhe brenda socialistëve. Për shembull, Vunoi ka pasur më shumë ministra se Dhërmiu. Duhen parë edhe këto raporte.
– E vërtetë, – tha Muli, – por sot duan të na nxjerrin pakicë ne të Tropojës dhe duan ta shpallin fitoren mbi ne. Kjo nuk mund të ndodhë. Në mbrëmje duhet të jemi të bashkuar, që të duket sikur nuk kemi përçarje.
– E vërtetë, – tha Leloja, – por kjo ndarje, që paradite sulmojnë myslimanët e Tropojës dhe pasdite katolikët e Tropojes, krijon idenë e një ndarjeje fetare. Duhet të bashkohemi. Në komunikatë duhet të vendosim një emër katolik dhe një mysliman, që të dukemi sikur jemi bashkë.
– Nuk e di si bëhet kjo, – tha Muli. – Vetëm të ndryshoj mbiemrin dhe ta bëj Flamur Nokë-Pepa. Ndryshe nuk më pranojnë.
– S’ka problem, – tha Leloja. – Prapë Muli do të të thonë. Rëndësi ka të mos përçahemi, se përçarja e Tropojës është fundi i Shqipërisë. /Tema

