Fitorja e studentëve në Serbi! Vuçiç pranon humbjen, Brukseli: Dyert e BE-së janë të hapura

Fitorja e studentëve në Serbi! Vuçiç pranon humbjen, Brukseli: Dyert e BE-së janë të hapura

Pas një pjesëmarrjeje rekord në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të kësaj të diele në Serbi, Aleksandër Vuçiç ka pranuar humbjen e partisë së tij.

Partia e drejtuar nga Vuçiç arriti të marrë 38.7% të votave, kundrejt Listës Studentore, parti e dalë nga protestat 2-vjeçare, e cila arriti të marrë rreth 52% të votave, rreth 140 vende në Parlament.

Sukses u arrit edhe nga partitë shqiptare, të cilat u bashkuan nën siglën e ‘Koalicionit Shqiptar’, të cilat arritën të marrin 2 mandate deputetësh në Serbi. Partitë shqiptare më parë janë përfaqësuar në Kuvend vetëm nga deputeti Shaip Kamberi. ‘Koalicioni Shqiptar’ pretendon edhe një mandat të tretë.

Pas daljes së rezultateve të para, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uruan Listën Studentore për fitoren në zgjedhje, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur përparimin e Serbisë drejt BE-së.

“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, shkruan ata në një postim të përbashkët në rrjetin social ‘X’.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve shënon një fillim të ri në marrëdhëniet e Serbisë me Brukselin.

“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, theksoi Kos në një deklaratë me shkrim, të shpërndarë për gazetarët nga kabineti i saj.
Duke uruar Listën Studentore, ajo tha se qytetarët e Serbisë e shprehën zërin e tyre duke marrë pjesë në zgjedhje në numër historik, pas pothuajse dy vjetësh protesta për demokraci, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.

“Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në zemër të Bashkimit tonë Evropian”, nënvizoi Kos.