Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Bosnjë-Hercegovinën pasditen e sotme, ku një helikopter ushtarak italian i tipit CH-47 Chinook është rrëzuar në zonën e Brçkos, në verilindje të vendit. Sipas raportimeve nga mediat e huaja katër persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ambasadorja italiane, Sarah Castellani ka njoftuar se në bordin e helikopterit ndodheshin 15 italianë ku aksidenti ndodhi gjatë fazës së ngritjes, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta.
Helikopteri ishte angazhuar në kuadër të operacionit evropian EUFOR Althea, misioni i Bashkimit Evropian që synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë. Menjëherë pas rrëzimit në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, mbrojtja civile dhe personeli mjekësor, të cilët u angazhuan në nxjerrjen e të plagosurve dhe transportimin e tyre drejt spitalit.
Fillimisht kryetari i bashkisë së Brçkos Siniša Milić, njoftoi për tre viktima dhe 12 të plagosur. Megjithatë bilanci u rëndua më vonë pasi një tjetër person, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërroi jetë. Sipas informacioneve të publikuara, mes katër viktimave janë dy operatorë të bordit dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq, ndërsa pilotët raportohet se kanë mbijetuar. Identitetet e viktimave dhe rrethanat e plota të ngjarjes pritet të konfirmohen nga autoritetet.
Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se helikopteri po fluturonte në lartësi të ulët dhe kishte kryer disa rrotullime përpara se të përplasej me tokën. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se incidenti mund të ketë ndodhur gjatë një ushtrimi, në momentin kur helikopteri po ngrihej. Sipas tij, mund të ketë pasur një problem gjatë manovrës, por deri tani nuk ka një shpjegim përfundimtar mbi atë që shkaktoi rrëzimin.
Situata në vendngjarje është bërë edhe më delikate për shkak të sasisë së konsiderueshme të vajgurit që është derdhur pranë helikopterit. Kryetari i bashkisë së Brçkos bëri të ditur se zjarrfikësit do të qëndrojnë në zonë gjatë gjithë natës, për të parandaluar rrezikun e zjarrit ose të shpërthimeve. Helikopteri u rrëzua në një zonë të pabanuar, pranë vendbanimit të Goricës, duke shmangur pasoja të mundshme për banorët. Sipas EUFOR-it, nuk ka të lënduar mes civilëve dhe nuk janë raportuar dëme në infrastrukturën civile.
Misioni EUFOR Althea ka nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.. Ambasadorja italiane në Sarajevë është nisur drejt vendit të aksidentit, ndërsa Ministria e Jashtme italiane ka garantuar mbështetjen e nevojshme për personelin e përfshirë dhe familjet e viktimave.
Lajmi ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Presidenti Sergio Mattarella shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve dhe kërkoi që solidariteti i tij t’u përcillet Ushtrisë Italiane, Trupave Ushtarake të Kryqit të Kuq dhe familjarëve të viktimave.
Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi ngjarjen si një shkak për dhimbje të thellë, duke shprehur afërsinë e saj me familjet dhe të gjithë personat e përfshirë. Edhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani dhe kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, përcollën mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti. Autoritetet italiane dhe evropiane po vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa priten informacione të reja për identitetin e viktimave dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e helikopterit gjatë ngritjes.

