HomeAktualitetKryesore

“Thanë negociatat u bllokuan”! Rama: Opozita humbi sërish dhe vendi përsëri fitoi! Më 26 maj në Bruksel, konferenca Shqipëri-BE çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit

“Thanë negociatat u bllokuan”! Rama: Opozita humbi sërish dhe vendi përsëri fitoi! Më 26 maj në Bruksel, konferenca Shqipëri-BE çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, e cila do të zhvillohet më 26 maj në Bruksel, duke e cilësuar atë si një tjetër moment krenarie për vendin dhe një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.

Përmes një postimi në Facebook, Rama deklaroi se konferenca do të “vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”, duke theksuar se procesi europian i Shqipërisë është një histori suksesi e ndërtuar me vizion, punë dhe përkushtim.

“Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj gjithashtu kritikëve të procesit të integrimit, duke thënë se parashikimet për bllokimin e negociatave dhe ndëshkimin e Shqipërisë nga Europa kanë rezultuar të pavërteta.

“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, u shpreh ai.

Rama falënderoi institucionet shqiptare, shumicën parlamentare, ekipin negociator dhe qytetarët që, sipas tij, kanë mbështetur rrugëtimin europian të vendit.

Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel konsiderohet një etapë kyçe në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimi Europian, në kuadër të objektivit për anëtarësimin e plotë të vendit në union deri në vitin 2030.

Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.

U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.

Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi

Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE. Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik