HomeAktualitet

Më 11 korrik spektakli i Kanye West në Tiranë: Nis puna për ndërtimin e stadiumit për 60 mijë spektatorë (Video)

Më 11 korrik spektakli i Kanye West në Tiranë: Nis puna për ndërtimin e stadiumit për 60 mijë spektatorë (Video)

Në Kashar ka nisur puna për ndërtimin e stadiumit provizor që do të presë super spektaklin e Kanye West më 11 korrik në Tiranë. Lajmi u bë me dije nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i cili ka ndarë pamje nga kantieri për ndërtimin e stadiumit të përkohshëm Eagle Stadium, me kapacitet 60 mijë persona.

Zona e zgjedhur ka një sipërfaqe prej disa dhjetëra mijë metra katrorë, dhe është në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës, vetëm 2 kilometra nga qendra e kryeqytetit.

Në postimin e tij, Ministri Gonxhja e cilëson këtë event si një produksion të përmasave dhe standardeve globale, që pritet të sjellë vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ta pozicionojë vendin në hartën e eventeve më të mëdha muzikore dhe kulturore.

Sipas tij, organizimi i një eventi të këtyre dimensioneve përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm artistik e kulturor, por edhe një mundësi të rëndësishme për promovimin e vendit, zhvillimin e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale përmes ndikimit që sjell industria globale e muzikës, medias dhe entertainment-it.

“Ka nisur puna në Kashar për sheshin ku do të instalohet stadiumi provizor për super spektaklin e Kanye West në Shqipëri, një produksion i përmasave dhe standardeve globale që pritet ta ngrejë Shqipërinë në tjetër nivel reputacioni ndërkombëtar. Një mega event i këtyre dimensioneve përfaqëson jo vetëm një moment të rëndësishëm artistik e kulturor, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit, zhvillimin e turizmit dhe fuqizimin e ekonomisë lokale përmes vëmendjes që sjell nga industria globale e muzikës, medias, showbiz dhe entertainment-it”, shkruan Gonxhja.

Spektakli i Kanye West do të zhvillohet më 11 korrik në Tiranë dhe konsiderohet një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.

Çmimet e biletave fillojnë nga 120 euro, ndërkohë për vendet VIP ato arrijnë deri në 339 euro. Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, që nis në SHBA dhe më pas vijon në Azi dhe Europë. Koncerti organizohet nga “Streetlife”, një kompani me bazë në Berlin dhe që ka punuar me artistë, si: 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar, Nicki Minaj etj, ndërsa në Shqipëri, aktiviteti mbështetet nga Redcloud (Tirana) dhe Live Label (Hollandë). Mbështetje logjistike për koncertin ofron edhe Ministria e Kulturës.