Po himnizohet dhuna: Përdorimi i të miturit në protesta, vepër penale! Rama: Kufizim të rrjeteve sociale pas konsultimit! Nga 2027 fëmijtë do rrinë më gjatë në shkollë, deri në 17:00

Po himnizohet dhuna: Përdorimi i të miturit në protesta, vepër penale! Rama: Kufizim të rrjeteve sociale pas konsultimit! Nga 2027 fëmijtë do rrinë më gjatë në shkollë, deri në 17:00

Për kryeministrin Edi Rama, protestat poshtë zyrës së tij po nxjerrin në pah një panoramë shqetësuese sesi dhuna po relativizohet dhe protestuesve të dhunshëm po u jepet statusi i qytetarisë.

“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem dhe koj është skandaloze dhe kriminale”, tha Rama.

Veçanërisht shqetësues ky fenomen, thotë kreu i qeverisë kur si mashë për dhunën përdoren dhe keqpërdoren të miturit.

“Ajo që ka qenë një tjetër befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe tejet shqetësuese në formë, e shumë të miturve. Të mitur të cilët përpara se t’i konsiderojmë fajtorë, duhet t’i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara se të mendojmë se si duhen dënuar, duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës”, tha Rama.

Përballë kësaj panorame, ai thotë se qeveria nuk duhet të rrijë duarkryq:

“Ne presim ndihmë nga të gjithë ju dhe nga të gjithë ata si ju që janë të angazhuar në një front të heshtur, por shumë të dobishëm, pune të përditshme për të adresuar nga kënde të ndryshme cilësinë e jetës, mirërritjen edhe nevojën për ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve dhe të familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore, që marrin me vete fëmijët e tyre.”, tha kryeministri.

Së pari, për të neutralizuar burimet që ushqejnë me frymën e dhunës të miturit:

“Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo, që mund të shihet si pengesë, që mund të cenoje lirinë e tjetrit. Përpara se këta fëmijë të mendojmë t’i dënojmë, duhet të mendojmë si të neutralizojmë burimet, nga ata joshen me dhunën”, u shpreh ai.

Duke nisur nga rrjetet sociale:

“Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike. duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TikTok-un, do të fillojmë konsultimin në shkolla dhe me prindërit”, vijoi kryeministri

Rama njoftoi se nga viti i ardhshëm do të ketë zgjatim të orarit të qëndrimit në shkolla të fëmijëve.

“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite”, tha kryeministri.