Lajmet e fundit nga Amerika bëjnë të ditur se Mediu ka përdorur gjithë rrjetin e donatorëve të Doktorit për të lobuar që të mos dënohet në Shqipëri.
Për këtë ka përdorur darkat në Teksas me prokurorin e Teksasit dhe miqësinë me një ligjvënës amerikan, që ata të rekomandojnë mosndëshkimin e Mediut nga drejtësia në Tiranë.
– Ky na tha: “Unë do të sjell LaCivitën”, dhe gjashtë milionëshin e pagoi Doktori, -i tha Muli Lelos. – Lekët na i mori, na shiti një vizë dhe na varrosi më keq. Vetë tani, me donatorët tanë, po shpëton nga burgu.
– Tani ai vetëm këtë biznes di të bëjë gjithë jetën, – i tha Lelo. – Të dalë në fotografi në SHBA dhe t’i shesë ato në Shqipëri. Nuk është se na e ka futur vetëm ne. Kuvendi i Shqipërisë i jep rreth 500 mijë euro në vit, duke i plotësuar tekat për udhëtime dhe konferenca me lobistët e tij, të cilët i bëjnë konferencat me paratë e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe ata binden se gjithë populli shqiptar dhe gjithë Parlamenti janë dakord që Mediu të mos dënohet, se është “mendjelehtë konsensual”.
-Këtu ke të drejtë, – tha Muli. -Nuk kanë faj edhe këta amerikanët. Ne u themi se është yni, këta të Parlamentit u thonë se është yni, ata pronarët e restoranteve në Teksas u thonë se është yni. Epo, ata mendojnë se gjithë bota është me Mediun dhe nuk ka përse ta dënojë gjykata.
– Puna është se këtë e bën me lekët tona, që mezi i mbledhim, se Parlamenti lekët e popullit ka.
-E di,- tha Lelo, -por tani nuk tërhiqemi dot, se edhe ne kemi interes të mos dënohet. Se pastaj, aq bën në burg ai dhe fillon e flet. Shiko çfarë po e gjen Ramën me Veliajn. Merre me mend çfarë mund të na thotë ky për Zenin.

