Hyrja në fuqi e Aktit Normativ në ligjin për tubimet, ka sjellë efektet e para të gjobave në protestën që vijon prej më shumë se 3 javësh tashmë, gjatë të cilave për ditë të tëra nuk u kursyen policët, institucionet, bizneset dhe prona publike. Zyrtarisht, Policia e Tiranës njofton vendosjen e 16 gjobave të para me vlerë 5 mijë lekë, secila për bllokimin e qarkullimit të automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar të hënën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
14 prej tyre janë gjoba të vendosura personave të shoqëruar, ndërsa 2 të tjerë bazuar në identifikimin përmes pamjeve filmike. Blutë thonë, se pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit, për lirimin e rrugës, nuk janë bindur dhe kanë vijuar të qëndrojnë aty.
Hetimit penal nuk i kanë shpëtuar edhe 2 të mitur. Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme.
Ndërkohë, dhuna e paprecedent që është shfaqur nga kjo protestë ndaj efektivëve të policisë, të përballur me gurët, sendet e forta dhe molotovët, nuk konsiderohet më sulm i thjesht ndaj bluve. 2 ditë më parë, policie referoi disa persona në prokurori për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë. Kjo vepër penale, kur ka vrasje të një polici, sipas Kodit, dënimin e ka nga 30 vjet minimumi, deri në burgim të përjetshëm. Megjithatë, në kuptimin e tentativës kur nuk ka policë të vrarë, gjykata mund të ul dënimin poshtë pragut 30 vjet.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se me këtë vepër penale referimi është bërë për shkak të disa rasteve specifike ku janë sulmuar efektivët në mënyrë brutale, me molotovë. Në vetvete benzina që shpërthen është vdekjeprurëse dhe hedhja me qëllim shumë pranë efektivëve konsiderohet tentativë për vrasjen e tyre. Në vijim duhet parë nëse vepra penale do të rikualifikohet në prokurori dhe gjykatë, për zbutje të mundshme.
Në aktin Normativ të miratuar të mërkurën e 28 tetorit, parashikohen 9 kategori gjobash që nisin nga 5.000 deri në 500.000 lekë të rinj, në varësi të shkeljes, nga bllokimi i rrugës, fshehja e identitetit në protesta, deri te mosbindja ndaj urdhrit të policisë dhe je maskuar. Ligji gjithashtu përcakton se kur policia ka dyshime për dhunë, mund të ndalojë tubimet për 72 orë në një perimetër të caktuar.
Qeveria ka krijuar edhe regjistrin e posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte te dhunshme gjatë manifestimeve publike.

