Luftën me Edi Ramën dhe akuzat se Kryeministri përmes ministrit të Drejtësisë e ka shantazhuar, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i çoi edhe në Gjykatën e Posaçme. Veliaj, nuk u paraqit vetë në seancën e gjyqit në themel, por përmes avokatit të tij i kishte dërguar një letër Gjykatës së Posaçme, për atë që e quan rrëmbim me urdhër të Ramës.
“Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një “togë” shoqërimi pa m’u treguar urdhri, shkaku pse po lëvizja, ku po shkoja dhe si justifikohet largimi me 100 km të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me 2 të mitur e nënën pensioniste, dhe një Bashkie të Tiranës që drejtoj”, thotë Veliaj në letër.
Gjykatës i tregon edhe për takimin me Gogun, ngjarje për të cilën kërkon hetim të thelluar. Ai pretendon se Gogu në emër të Ramës i ka thënë se prokurorët po përgatiteshin t’i shtonin akuza, deri te prishja e rendit kushtetues, për përfshirje në organizmin e protestave të flamingove dhe studentëve. Vetë Veliaj e sfidoi dje publikisht Ramën që të vërtetojë lidhjen e tij me protestat ose në të kundërt të ikë nga drejtimi i vendit.
“Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë z. Gogu më bëri të qartë në IEVP Fier se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; ‘që të bëj burg tamam’ dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bëheshin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve, përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nasta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si ndërhyrja e Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave. Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë”, shkruan Veliaj.
Në përgjigje Gjykata pranoi se Drejtoria e Burgjeve nuk e kishte njoftuar për transferimin e Veliaj, edhe pse detyrohet nga ligji, ndërsa në lidhje me hetimin tha se nuk ishte në kompetencën e saj dhe e këshilloi mbrojtjen e kryebashkiakut të ndiqte rrugën ligjore.
“Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona sa u takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Të ndjekë rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij”, tha trupi gjykues.
Vetë avokati Plarent Ndreca nuk e përjashtoi një kallëzim penal për shantazh apo ndonjë vepër tjetër penale.
“Ne si grup ligjor i z. Veliajt po e vlerësojmë dhe cila do të jetë ajo vepër dhe si do të veprojmë më tej. Unë dhe grupi i avokatëve të huaj po vlerësojmë nëse bëhet fjalë për vepër penale dhe cila vepër është”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu sipas Ndrecës ka shkelur ligjin me takimin e së premtes në darkë.
“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar ministrin e Drejtësisë, por ministri nuk mund të shkojë në orën 10:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës duhet të shkonte në mënyrë zyrtare në orar zyrtar, me inspektorë. Ministri ka të drejtë të inspektojë institucionin jo të takojë për 1 orë e gjysmë kokë më kokë një person të pandehur, i cili është nën gjykim nga gjykata. Dhe nuk mund ta takojë në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, mund të shkojë në qeli, ka të drejtë të hyjë pa kufizim në institucion por jo takim me të pandehurin”, u shpreh Ndreca.
Vetë ministri Gogu e ka pranuar takimin me Veliajn natën e 30 tetorit, por mohoi akuzat e Veliajt se i kishte dërguar “mesazhe” në emër të Kryeministrit. Sipas tij vizita kishte qëllim “për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht”.
Por e paqartë dhe absurde është se përse ministri u takua në zyrën e drejtorit të institucionit me të paraburgosurin dhe nuk u takuan në vendin e izolimit, ku mund të shikoheshin kushtet dhe të bisedohej me praninë e rojes së sektorit ose një personi tjetër të sigurisë së obkjektit kur gjithçka ishte zyrtare dhe nuk kishte asgjë konfidenciale dhe sekrete?!
Përse Ministri bërë takim në një orë kur të burgosurit janë në gjumë pas orës 22. A nuk kishte një menyrë më publike dhe jo të fshehtë që pastori ministër i Ramës të takohej me ish mikun e tij Veliaj, të cilit i ka bërë dhe aktin ceremonial të martesës me Ajola Xoxen?

