30 vite pas masakrës zgjedhore të 26 majit 1996, emisioni “Repolitix” në Report Tv solli dëshmi të forta mbi dhunën dhe terrorin që u ushtrua nga pushteti i asaj kohe për të deformuar procesin zgjedhor. Ish-deputeti Petro Koçi, analisti Plator Nesturi dhe ministri Blendi Gonxhja rrëfyen episode rrëmbimesh, dhune dhe presioni ndaj opozitës socialiste, që sipas tyre kryheshin me urdhër të ish-Presidentit Sali Berisha. Sipas dëshmive, policia dhe SHIK-u i kohës përdoreshin për të frikësuar kundërshtarët politikë dhe për të garantuar vijimin e pushtetit të PD-së deri në krizën e vitit 1997, pas shpërthimit të skandalit të firmave piramidale.
Përballë gazetarit Denis Minga, ish-deputeti socialist Petro Koçi e cilësoi 26 majin 1996 si një “grusht shteti”, duke e cilësuar pushtetin e kohës së Berishës një regjim fashist, që përdori dhunën, rrëmbime dhe terrorin ndaj komisionerëve të opozitës socialiste në mënyrë që PD të merrte fitoren.
Ish-deputeti deklaroi se njerëz të SHIK-ut rrëmbenin komisionerë në prag dhe gjatë ditës së votimit, me qëllim që të pengohej administrimi normal i procesit zgjedhor. Ai solli si shembull rastin e një komisioneri në Fier, i cili sipas tij u mor me forcë dhe u dërgua në plazhin e Semanit, kilometra larg qytetit, për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Zgjedhjet e 26 majit janë dëshmi e një regjimi fashist, jo thjeshtë një regjimi të korruptuar. Zgjedhjet nuk u manipuluan, ishte grusht shteti, u grabitën me dhunë, me forcë, me gjak. Ishte dhunë e egër mbi zgjedhjet dhe unë e kam quajtur grusht shteti. Zgjedhjet e 26 majit vijnë pas fitores së opozitës në referendumin për Kushtetutën dhe Sali Berisha e dinte shumë mirë cili ishte vullneti politik i zgjedhësve. I duhej të bënte grusht shteti mbi zgjedhjet që të mbante pushtetin. Ngjarjet kanë qenë shumë të rënda. Bëhej fjalë për rrëmbim komisionerësh, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe para zgjedhjeve. U shkonin nëpër shtëpi dhe i rrëmbenin. Në Fier kanë rrëmbyer një komisioner dhe e çuan në Seman, 18 km larg Fierit dhe e lanë atje mes plazhit që të vinte në këmbë në shtëpinë e vet”, tha mes të tjerash Koçi.
Ish-deputeti socialist kujtoi gjithashtu rrëmbimin e regjisorit Kiço Londo në Fier. Petro Koçi tha se Londo u mbajt për disa orë nga forcat e SHIK-ut dhe u dhunua me shishe plastike të mbushura me ujë. Sipas tij, e gjithë dhuna e ushtruar nga pushteti i Berishës gjatë periudhës para zgjedhore, por edhe gjatë zgjedhjeve, bëhej me qëllim frikësimin e socialistëve.
“Në Fier përshembull është rrëmbyer Kiço Londo, disa ditë para zgjedhjeve. E rrëmbeu SHIK-u. Kiço Londo është rrëmbyer në sheshin para Teatrit Bylis, por fati i tij ishte se dikush ka parë momentin dhe është regjistruar ngjyra e makinës dhe targa. Dhe shpëtoi sepse ne falë një gruaje shumë trimëreshë që punonte në centralin telefonik të Patosit, ajo na dëshmoi të gjithë komunikimin që kishte pasur SHIK-u i Fierit me njerëzit e vet në Patos. Dhe të gjitha këto të nesërmen kanë dalë te Zëri i Popullit dhe prandaj shpëtoi Kiço, sepse ne e dimë shumë mirë që është rrahur në qelitë e SHIK-ut me shishe me ujë. Mbusheshin shishet plastike me ujë dhe qëllohej. Të gjitha këto bëheshin për të frikësuar socialistët”, vijoi Petro Koçi.
Të njëjtat dëshmi i solli në studio edhe Plator Nesturi, i cili tregoi se si në Shkodër policia merrte me forcë komisionerët e opozitës socialiste dhe i dërgonte larg qendrave të votimit, ndërsa vendet e tyre zëvendësoheshin nga persona të afërt me PD-në. Ai madje tregoi edhe se si ra pre e dhunës nga policia, duke e goditur me shkopinj në kokë.
“Vinte policia, hynte në Komision, merrte komisionerët e opozitës dhe i çonte diku në një vend larg Shkodrës, që të vinin që andej në këmbë. Kur vinin aty, ishte bërë çfarë kishin dashur ata, sepse komisionerët nuk ishin. Kurse në zonat e thella lartë, ishte një tjetër fenomen. Atje që një natë më parë i mbanin të mbyllur komisionerët e opozitës. Dhe të nesërmen ishin vendosur komisionerë po nga PD në vend të atyre të PS-së. Pra kishin vënë njerëzit e tyre dhe i kishin quajtur si anëtarë komisioni”, dëshmoi Nesturi.
Edhe Blendi Gonxhja e përshkroi 28 majin si një nga episodet më të errëta të tranzicionit shqiptar. Ai deklaroi se protestuesit dhunoheshin publikisht nga efektivë policie dhe agjentë të SHIK-ut me shufra, ndërsa shumë prej tyre tërhiqeshin zvarrë dhe dërgoheshin në komisariate.
“Ishte surreale. Të nxirrnin njerëzit nga makina. Të godisnin me shufra, të çonin në komisariat. Nuk ndaje dot asnjë fletushkë”, deklaroi ai.
Katër orë para përfundimit të procesit zgjedhor, PS dhe partitë e tjera opozitare u tërhoqën nga gara, duke deklaruar se nuk do ta njihnin rezultatin. Dy ditë më pas, më 28 maj, opozita organizoi një protestë në Tiranë kundër asaj që e cilësoi masakër zgjedhore, ndërsa protestuesit dhe aktivistët e saj u dhunuan brutalisht nga policia dhe forcat e SHIK-ut të kohës.

