Raketa New Glenn e Blue Origin shpërtheu ndërsa ndodhej në platformën e lëshimit në Cape Canaveral, në Florida. “Kemi hasur një anomali gjatë testit të sotëm të ndezjes”, deklaroi kompania në një komunikatë të shkurtër të publikuar në X, duke shtuar se “i gjithë personeli është i sigurt dhe i pranishëm”.
Një video e incidentit tregon tym që del nga poshtë raketës përpara se ajo të shpërthejë plotësisht në një top gjigant zjarri. Deputeti i Floridës, Mike Haridopolos, distrikti i të cilit përfshin Cape Canaveral, shkroi në X se kishte qenë në kontakt me administratorin e NASA-s, Jared Isaacman, lidhur me shpërthimin.
“Jam mirënjohës që nuk ka të lënduar dhe falënderoj ekipet e emergjencës, inxhinierët dhe skuadrat që vepruan me shpejtësi”, tha Haridopolos. Shpërthimi është pengesa më e fundit për kompaninë e eksplorimit hapësinor në pronësi të miliarderit Jeff Bezos.
Muajin e kaluar, raketa e saj New Glenn dështoi në misionin për të vendosur një satelit komunikimi në orbitën e duhur, duke çuar në hapjen e një hetimi.
Videoja e incidentit, e raportuar nga mediat amerikane, tregon tym që del nga poshtë raketës 98 metra të lartë, përpara se ajo të shndërrohej në një top të madh zjarri.
Elon Musk, themeluesi i SpaceX, kompani rivale e Blue Origin, shprehu keqardhjen e tij duke e cilësuar incidentin si “shumë të pakëndshëm”./Corriere della Sera

