HomeAktualitetKryesore

Nuk na shkatërroi pushtuesi por ndërgjegjja e një kombi që u zhgarravit apo përfundoi nën rrënoja

Nuk na shkatërroi pushtuesi por ndërgjegjja e një kombi që u zhgarravit apo përfundoi nën rrënoja

Nga Anri Bala

Në foton e parë dhe të dytë, është pasqyra e vërtetë e shtetit, të ketyre lyrave që na kanë qeverisur 35 vite, e jo më pak fundërrinat e pushtetit lokal, që i kanë trajtuar pasuritë kombëtare në rastin më të mirë si marrëveshje klienteliste e privatit me xhepat e tyre dhe në rastin më të keq si mall pa zot, duke i lënë në harresë, shkatërruar, degraduar me qëllim, groposur me dhe e beton… a thua se nuk kanë ekzistuar kurrë!
A keni parë apo dëgjuar gjëkundi në glob, që gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e një pallati, të zbulohet një mozaik i shekullit të I-rë i erës sonë, monument kulture i kategorisë së parë, të vazhdojnë punimet e objektit dhe mozaiku të mbulohet nga ujërat e zeza, nën themelet e një pallati 13 katësh në Durrës? Ky është Mozaiku i Meandrit, një nga thesaret më të çmuara të antikitetit dhe identitetit tonë kombëtar.

A keni parë gjëkundi në glob, që në një bodrum që ndodhet në katin e parë të një pallati në Durrës, i kthyer më pas në restorant, të ndodhet “Porta e Artë”…hyrja e Rrugës Egnatia, unike në botë, e ndërtuar në shekullin e II-të p.l.k, monument kulture i kategorisë së parë, ku hynin perandorë nga Roma e lashtë, që niste në Durrës dhe përfundonte në Konstandinopojë?

Por, a e dini pse e meritojmë qeverinë që kemi? Nëse në fotot e para tregohet dështimi i të gjithë institucioneve shtetërore, kulturore, arsimore, ligjore, familjare, etj… në fotot e radhës, të shkrepura 10 vite më parë në mos gaboj, në Kishën e “Shën Kollit” dhe atë të “Shën Mërisë” në Voskopojë, është fytyra e një shoqërie shëmbëlltyrë e pushtetit që ka. Këto vepra nuk janë thjesht gurë apo objekte, ato janë kujtesa kolektive e njerëzimit dhe simbol i aftësisë së njeriut për të sfiduar kohën.

Kishat e ndërtuara 3 shekuj më parë, monument kulture të kategorisë së parë, i kanë mbijetuar të gjithë faktorëve të rrezikut, qofshin këto prej shkaqeve natyrore, përmbytje apo tërmete apo dhe atyre njerëzore, siç janë luftrat. Ama janë kërcënuara fill nga dora e njeriut të pavetdijshëm dhe padija e një shoqërie që degradon nga liria e tepërt për të shkatërruar dhe mos marrë pasoja për veprimet e tij.

Qeveria mund të largohet e të ndryshoj, por nëse së pari nuk ndryshon vetdija, historia rrezikon të përsëritet! Kur kërkoni dorëheqje dhe fajtor, shihni pak dhe përgjegjësit e kësaj masakre mjedisore, kulturore, arsimore…

Zgjidhja! Bota e ka gjetur “ilaçin”: 15 mijë euro gjobë dhe një dënim që shkon nga 2 deri në 5 vite burg për këdo vandal që shkatërron një monument kulture! Keni rastet e disa të rinjve që shkruan inicialet e tyre në murin e Koloseumit në Romë. Nëse familja dhe shoqëria dështon, duhet të prevaloj “xhandari”, forca e ligjit që duhet të jetë i barabartë për të gjithë, qoftë për ata që duan të përdhosin e shkatërrojnë dhe atyre që mbrojnë me fanatizëm pronën dhe pasuritë publike.

Madje, ndryshe nga Europa, duhet të kemi një regjistër për vandalët vendas, se kush shkatërron pronë publike, nuk mund të jetë kurrë pjesë e administratës publike dhe as të marrë një funksion të lartë shtetëror, përjetë! /Ekskluzive.al