Sekreti hetimor i SPAK- cullakut guzhina që helmon drejtësinë

Sekreti hetimor i SPAK- cullakut guzhina që helmon drejtësinë

Përse pjesë të dosjeve hetimore përfundojnë në media ende pa u mbyllur hetimet? Në rastin për të cilin po flasim, ashtu si në çështje të tjera ku përfshihen zyrtarë të lartë të qeverisë, fragmente nga dosja dalin në publik menjëherë pas marrjes në pyetje të personave nën hetim. Kush ua jep mediave këto materiale dhe përse pikërisht në atë moment?

Përse gjithë ky nxitim për ta nisur gjyqin në studio televizive, ndërkohë që hetimi është ende në fazat e para? Kur publikut i serviret një fragment i shkëputur nga dosja, ai merr vetëm aq sa ka zgjedhur t’i tregojë ai që e ka nxjerrë. Pastaj fragmenti komentohet, përsëritet dhe, deri në fund të mbrëmjes, në ekran është dhënë edhe vendimi.

Neni 295/a i Kodit Penal e shtron çështjen e zbulimit të akteve ose të të dhënave sekrete të një procedimi penal. Kur dyshohet se janë nxjerrë materiale që mbrohen nga sekreti hetimor, pyetjet janë konkrete. Kush kishte qasje në to? Kush kishte detyrimin t’i ruante? A është hetuar se si përfunduan në media? Këto pyetje vlejnë për këdo që kishte detyrimin e ruajtjes së sekretit, qoftë prokuror, hetues apo zyrtar tjetër.

Përse heshtin strukturat që duhet të kontrollojnë ligjshmërinë? A ka pasur hetime për rrjedhjen e dosjeve dhe çfarë kanë nxjerrë ato? Apo po presim serinë e radhës të telenovelës, që nesër mund të bëhet edhe film me skenar nga ish SPAK-u natyrisht pasi të ketë ndërruar fytyrë dhe kostum dhe të na shiten në ekrane si Giovani Falcone dhe Paola Borsalino

Ndërkohë, publikut i kërkohet të luajë rolin e gjykatësit. Pa çekiç, pa firmë e pa vulë, por me një dënim të gatshëm për këdo që atë mbrëmje është vënë në shënjestër. Kjo të kujton gjyqet popullore të diktaturës. Sot mjaftojnë një copëz dosjeje, një titull i bujshëm dhe disa orë debat për ta vulosur fajësinë në sytë e publikut.

Këtu SPAK-u del cullak. Dosjes i janë hequr edhe brekët dhe, sa herë që prej saj hidhet ndonjë kockë, zagarët që rrinë pas derës nisin të lehin. Pas disa netësh me radhë, nga gjykata pritet të vulosë atë që studioja e ka shpallur tashmë si vendim. Në këtë klimë, edhe një vendim i mbështetur në prova rrezikon të lexohet vetëm si miratim ose kundërshtim i verdiktit televiziv.

Kjo është qenëri e shitur për drejtësi. Lehjet mund t’i vlejnë dikujt për një sukses të çastit në karrierë, por mandatet mbarojnë dhe llogaria mbetet. Qytetarët, që financojnë çdo muaj punën e këtyre institucioneve, kanë të drejtë të kërkojnë një përgjigje të thjeshtë. Kush e nxori dosjen dhe çfarë u bë për ta zbuluar? /Ekskluzive.al