Çmimi “Fair Play” nga UEFA, Shqipëria vendi me progresin më të madh në Evropë

Çmimi “Fair Play” nga UEFA, Shqipëria vendi me progresin më të madh në Evropë

Shqipëria është rritur dhe përmirësuar ndjeshëm në sezonin e fundit sa i takon renditjes që bëhet nga UEFA për Fair Play për sezonin 2025/26. Vendi ynë renditet i pari në Europë për përmirësimin e treguesve të Fair Play nga një sezon në tjetrin.

Sipas raportit zyrtar të UEFA-s, Shqipëria ka arritur të kapë shifrën e 7.789 pikë për sezonin 2025/26, duke përmirësuar ndjeshëm rezultatin prej 7.503 pikësh të sezonit të mëparshëm. Diferenca pozitive prej 0.286 pikësh e vendos Shqipërinë në krye të kësaj kategorie, përpara Islandës, që renditet e dyta me një përmirësim prej 0.263 pikësh, dhe Sllovenisë, në vendin e tretë, me 0.250 pikë më shumë se sezoni paraardhës.

Ky rezultat e pozicionon Shqipërinë përpara 50 federatave të tjera europiane të përfshira në renditje. Renditja e UEFA-s bazohet në rezultatet e Fair Play të regjistruara në të gjitha ndeshjet e kompeticioneve europiane, në nivel klubesh dhe kombëtaresh, të zhvilluara nga 1 korriku 2025 deri më 30 qershor 2026. Në vlerësim janë përfshirë federatat që kanë zhvilluar të paktën 50 ndeshje në kompeticionet e UEFA-s.

UEFA ndan vlerësime në tri kategori: Fair Play i përgjithshëm, përmirësimi i rezultatit të Fair Play nga një sezon në tjetrin dhe sjellja e spektatorëve. Në kategorinë e rezultatit të përgjithshëm, vendin e parë e ka siguruar Islanda me 8.533 pikë, ndërsa në kategorinë e sjelljes së spektatorëve është vlerësuar Uellsi me 9.125 pikë.

Përmirësimi i Shqipërisë në këtë renditje përbën një vlerësim pozitiv në nivel europian, duke e vendosur futbollin shqiptar në krye të federatave për progresin e treguar në treguesit e Fair Play gjatë sezonit 2025/26.