Fraksioni i dosjes “Veliaj”: SPAK jep pretencën pas mbylljes së kundërshtimeve të të akuzuarve, ja çfarë u kërkua! Më 25 nëntor jepet vendimi GjKKO së shkallës së parë

Fraksioni i dosjes “Veliaj”: SPAK jep pretencën pas mbylljes së kundërshtimeve të të akuzuarve, ja çfarë u kërkua! Më 25 nëntor jepet vendimi GjKKO së shkallës së parë

Gjykata e Posaçme pritet të shpallë më 25 nëntor vendimin për fraksionin e ndarë të dosjes Veliaj, ku 8 persona dhe 3 shoqëri janë të pandehur. Në seancën e sotme, të pandehurit dhe avokatët e tyre përfunduan kundërshtimet ndaj pretencës së SPAK për këtë pjesë të dosjes, që po shqyrtohet me gjykim të shkurtuar. Në pretencën e dhënë më 3 qershor, SPAK kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë të pandehur si edhe gjobitjen e 3 shoqërive.

Për biznesmenin Elman Abule i cili ndodhet në arrest shtëpie, prokuroria ka kërkuar 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 4 vite e 8 muaj. Abule, i akuzuar për pastrim parash, është i vetmi për të cilin SPAK kërkoi që dënimi të vuhet në burg. Ai akuzohet se përmes kompanisë së tij “Rametal”, ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, duke përdorur fatura që hetuesit i dyshojnë si fiktive.

Për Ina Goxhajn, SPAK kërkoi 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 4 vite e 8 muaj, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit me vënie në shërbim prove. Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e OJF-së “BYL-A”, akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, organizata drejtohej faktikisht nga Ajola Xoxa, ndërsa Goxhaj figuronte në krye të saj. Në dosje bëhet fjalë për fonde që “BYL-A” merrte nga institucionet publike për aktivitete kulturore.

Edhe për financieren e Ajola Xoxës, Adela Kondakçiun, e akuzuar për pastrim parash, SPAK ka kërkuar 7 vite burg, por dënimi të shuhet për shkak të bashkëpunimit të saj me drejtësinë. Sipas prokurorisë, Kondakçiu ishte mes personave që vepronin nën kontrollin e Ajola Xoxës dhe që dyshohet se ndihmuan në pastrimin e parave.

Për biznesmenin Fatmir Bektashi, prokuroria kërkoi 1 vit burg, të cilin do ta shlyejë me punë në interes publik. Ai akuzohet për korrupsion aktiv në emër të shoqërisë “Kontakt”. Sipas SPAK, nga kjo shoqëri Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa morën përfitime të parregullta për shkak të detyrës së Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Për Frosina Bollon, SPAK kërkoi 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar zbret në 8 muaj, si dhe vënien në shërbim prove. Ajo akuzohet për korrupsion aktiv në emër të OJF-së “Frobolous”, të cilën prokuroria e rendit mes organizatave që i dhanë përfitime të parregullta çiftit Veliaj-Xoxa.

Kurse për Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, kërkohet 5 vite burg që nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 3 vite e 4 muaj, por në përfundim organi i akuzës kërkon që dënimin ta shlyejë me shërbim prove.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, SPAK kërkoi një gjobë prej 600 mijë lekësh. Për Flutura Xhanin, e akuzuar për deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, prokuroria kërkoi një gjobë prej 40 mijë lekësh.

Ndërkohë, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë të dosjes vijojnë të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Elman Abule – 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg.
Klotilda Bushka – 600 mijë lekë gjobë
Ina Goxhaj – Shërbim prove
Fatmir Bektashi Punë në interes publik
Fatjon Baçi – Shërbim prove.
Flutura Xhani – 40 mijë lekë gjobë
Frosina Bollo – Shërbim prove
Adela Kondakçiu – Përjashtim nga vuajtja e dënimit
Për kompanitë:
Rametal sh.p.k. – 18 milionë lekë gjobë
Kontakt sh.p.k. – 800 mijë lekë gjobë
OJF Frobolus – 500 mijë lekë gjobë