Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia në Zephyri të Atikës, ku dy zjarrfikës humbën jetën gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur.
Viktimat janë zëvendësshefi i zjarrfikësve, 44-vjeçari Elias Valatsos dhe zjarrfikësi 23-vjeçar George Zympidis, i cili kishte vetëm dy muaj që ishte betuar në detyrë, pasi kishte përfunduar Shkollën e Zjarrfikësve në Ptolemaida. Gjatë operacionit mbeti i plagosur edhe një zjarrfikës i tretë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim në spitalin 251 të Aviacionit.
Sipas hetimeve paraprake, zjarri mund të ketë nisur pasi një familje që banonte në katin përdhes kishte hedhur hirin e sobës me dru në shkallët e ndërtesës, ku ndodheshin mbeturina, plastikë dhe materiale të tjera të ndezshme. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tre persona, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkakun e saktë të zjarrit.
Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë dy skenarë për mënyrën sesi humbën jetën dy zjarrfikësit. Sipas skenarit të parë, ata mund të kenë rrëshqitur në shkallët e rrezikshme të ndërtesës dhe të kenë rënë në një hapësirë të bodrumit, duke pësuar dëmtime fatale.
Skenari tjetër lidhet me tymin e dendur që kishte mbushur bodrumin, ku zjarrfikësit mund të kenë humbur orientimin dhe, pasi u kanë mbaruar rezervat e oksigjenit në bombolat që mbanin në shpinë, të kenë gjetur vdekjen nga asfiksia. Ekipi Hetues i Zjarrvënieve në Athinë po kryen verifikime në vendngjarje për të përcaktuar se çfarë ndodhi në momentet e fundit të operacionit.
Tragjedia ka shkaktuar reagime të forta në radhët e zjarrfikësve. Presidenti i Shoqatës Panhelenike të Zjarrfikësve, Konstantinos Papantonis, shpërtheu në lot gjatë deklaratave të tij, duke ngritur shqetësimin për mungesën e pajisjeve mbrojtëse personale. Ai tha se gjatë këtij viti kanë humbur jetën 13 zjarrfikës dhe kritikoi institucionet për mosmarrjen e masave të nevojshme.
“Sa të vdekur duhet të shohë Mitsotakis për të kuptuar se diçka nuk shkon?”, deklaroi ai, ndërsa akuzoi ministrin përgjegjës Tournas se prej gjashtë vitesh zjarrfikësit kërkojnë pajisje mbrojtëse personale pa marrë zgjidhjen e kërkuar.

