Adriatik Llalla s’i shpëton dënimit me 2 vite burg, GJKKO i rrëzon kërkesën për parashkrim! Ish-kryeprokurori në kërkim prej vitit 2021, qëndron në Itali

Adriatik Llalla s’i shpëton dënimit me 2 vite burg, GJKKO i rrëzon kërkesën për parashkrim! Ish-kryeprokurori në kërkim prej vitit 2021, qëndron në Itali

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e bërë nga ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla për parashkrim të dënimit me dy vjet burg.

Llalla kërkoi që dënimi i dhënë ndaj tij në vitin 2021, me vendim të formës së prerë, të konsiderohet i parashkruar. Argumenti i tij lidhet me faktin se kanë kaluar afro pesë vite nga vendimi, pa e vuajtur dënimin me dy vite burgim.

Ish-kryeprokurori u dënua në pranverën e 2021-shit, ndërsa vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator 2021. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, që lidheshin me shpenzimet për lindjen e djalit, ndërtimin e katit të tretë të një banese dhe shkollimin e vajzës në Gjermani.

Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e një apartamenti në Durrës dhe rreth 22 mijë metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Pasi u largua nga Shqipëria, Llalla kërkoi azil politik në Itali, ku u arrestua në dhjetor të vitit 2021. Por më pas për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane.