Nga Anri Bala
Nesër në mëngjes, Edi Rama del para kamerave dhe thotë se jep dorëheqjen. Dikush hap shampanjën, dikush e quan ditë historike, dikush tjetër nxjerr nga sirtari fjalimin që ka vite që e mban gati. Mirë deri këtu. Po të nesërmen, kush vjen? Dhe me çfarë vjen, përveç fjalimit kundër Ramës?
Kjo pyetje i bezdis ata që e kanë kthyer largimin e tij në përgjigje për çdo hall të Shqipërisë. Rama ka përgjegjësi për mënyrën si ka qeverisur dhe qytetarët kanë çdo të drejtë të kërkojnë largimin e tij. Por ai që kërkon t’i zërë vendin ka një detyrim më shumë. Duhet të na thotë çfarë do të bëjë me pushtetin që sot e akuzon Ramën se e ka përqendruar në duart e veta.
A do ta hapë garën për emërimet që sot i quan klienteliste, edhe kur në garë të jenë njerëzit e tij? A do t’i bëjë publike kontratat që sot i denoncon, edhe kur prej tyre të kenë përfituar miqtë e tij? A do t’i dëgjojë studentët kur protesta të zhvillohet poshtë zyrës së tij? Këtu fillon të marrë kuptim pyetja «kush vjen?». Emrin mund ta mësojmë brenda ditës. Përgjigjet duhen kërkuar përpara se t’i japim çelësat.
Përfytyroje tani skenën. Në tryezë ulen të gjithë ata që deri dje i bashkonte një fjali, «Rama ik!». Sapo Rama ikën, njëri kërkon Kryeministrinë, tjetri një ministri, i treti do të dijë se ku do t’i sistemojë njerëzit e vet. Kur mbërrin radha për të folur për shkollat, spitalet apo paratë e buxhetit, mbledhja shtyhet për nesër, pasnesër dhe nuk bëhet asnjëherë.
Dhe ky kontingjent, që merret vesh për kë do të heqë e grindet për çfarë do të marrë, do ta bëjë Shqipërinë? Mos, o Zot!
Ka njerëz që e kundërshtojnë Ramën me argumente dhe që meritojnë të dëgjohen. Pikërisht ata humbasin më shumë kur debati kthehet në garë se kush e urren më fort. Sepse në atë garë, njeriu që ka një propozim për shkollën duhet të presë radhën pas atij që ka një sharje për kryeministrin. Dhe kur vjen dita për të qeverisur, sharjen e kemi dëgjuar njëqind herë, ndërsa propozimin ende s’e dimë.
Për atë që kërkon të vijë pas Ramës kam një pyetje të thjeshtë. Çfarë do t’i heqësh vetes nga pushteti që sot ia kritikon Ramës? Nëse përgjigjja është heshtja, atëherë e dimë të paktën se përse e do karrigen dhe kostumi politik i dhuruar për ju “sqimtarë” nëse doni të visheni me pushtet, do i’u nxjeri zhveshur e për turp. /Ekskluzive.al

