Qytetarët që do të kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk do të kenë nevojë për 2 kontrolle kufitare, por vetëm 1.
Të dielën kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Hristijan, inauguruan në Qafë Thanë sistemin e integruar të kontrollit “One Stop Shop”. Sistemi “Një ndalesë – Një kontroll” mundëson kryerjen e kontrolleve kufitare, doganore dhe të sigurisë në një pikë të vetme të përbashkët, duke shmangur procedurat e dyfishta dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve.
Pra, e thënë me fjalë më të thjeshta, qytetarët nuk do i nënshtrohen kontrolleve edhe nga pala shqiptare, edhe nga ajo maqedonase, por do të ketë vetëm një pikë kontrolli të përbashkët. Shqiptarët që do të shkojnë në Maqedonimë e Veriut do të kontrollohen nga dogana maqedonase, ndërsa maqedonasit që vijnë në Shqipëri do të kontrollohen nga dogana shqiptare. Për mallrat do të ketë vetëm një pikë të integruar kontrolli.
Për kryeministrin Rama, ky transformim do t’u vlejë miliona qytetarëve ndërsa theksoi se synimi është shtrirja e të njëjtit sistem edhe në pikat e tjera kufitare.
“Hidhet një hap konkret për këtë transformim, që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: “Beso dhe kontrollo”. Deri tani, në këtë doganë kemi qenë te “beso dhe kontrollo”, ndërsa hapi tjetër është “beso-beso”, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh”- deklaroi Rama.
Ndërsa për kryeministrin Mickoski veç rritjes së turizmit, ky moment do të forcojë më tej marrëdhëniet mes 2 vendeve.
“Kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet. Mendoj për bashkëpunimin në fushën e turizmit, përreth Liqenit të Ohrit, komunën e Ohrit dhe të Strugës, si dhe komunat e tjera që gravitojnë përgjatë liqenit, por gjithashtu edhe për bregdetin në Shqipëri.”,- u shpreh Mickoski.
Rama u ndal edhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se respektimi i sovranitetit dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit janë të rëndësishme për ruajtjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai u shpreh gjithashtu se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha mundësitë për t’u përfaqësuar

