Sulmi ndaj anijes ruse në Libi, Ministria e Jashtme në Tiranë rrëzon pretendimet: E pavërtetë nisja e dronit nga Shqipëria, asnjë përfshirje e territorit të saj

Sulmi ndaj anijes ruse në Libi, Ministria e Jashtme në Tiranë rrëzon pretendimet: E pavërtetë nisja e dronit nga Shqipëria, asnjë përfshirje e territorit të saj

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur poshtë raportimet për një sulm me dron detar ndaj një korvete ruse në Libi, duke i quajtur të pavërteta pretendimet se mjeti u nis nga Shqipëria.

Ministria sqaron se nuk ka asnjë përfshirje të Shqipërisë në këtë ngjarje dhe as të territorit të saj. Më tej, bën thirrje për korrigjimin e informacionit dhe raportimin me saktësi e kujdes për çështje të ndjeshme.

Anija ruse me raketa Mercury pësoi dëme të mëdha pas një shpërthimi në portin e Bengazit, në rajonin lindor të Libisë në Cyrenaica.

Reagimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.

Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.

Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.

I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.