HomeAktualitetKronike

“DH Albania”, fantazma që fitoi 30 milionë euro, adresa e kompanisë nuk ekziston

“DH Albania”, fantazma që fitoi 30 milionë euro, adresa e kompanisë nuk ekziston

Kompania “DH Albania” që fitoi 30 milionë euro tendera publikë në vetëm dy muaj, ka qenë plotësisht fantazmë duke mos pasur madje as adresë fizike.

Agjencia e Prokurimit Publik ka zbuluar se adresa që kompania ka shënuar në dokumentet e tenderave dhe ato të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është një adresë false që nuk ekziston.

Pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e firmës së Sekretarit amerikan të Shtetit, në Delaware, Agjencia e Prokurimeve Publike ka marrë vendim për të përjashtuar kompaninë nga tenderat publikë dhe koncesionet.

Vendimi i është përcjellë Postës Shqiptare për ta dorëzuar në adresën e kompanisë. Ndërkohë, posta thotë se nuk ka mundur ta dorëzojë shkresën, pasi adresa e kompanisë rezulton e panjohur.

Kjo gjë e thellon edhe më shumë skandalin, sesi një kompani tërësisht fantazmë, që ka ekzistuar vetëm në letra, ka arritur të fitojë 30 milionë euro tendera publikë.

Çështja e “DH Albania” është tashmë nën hetim nga Prokuroria. Organi i akuzës ka marrë në pyetje ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ndërkohë që gjykata ka nxjerrë urdhërarresti për Avdjol Dobin, administratorin e “DH Albania” tashmë në arrati.