HomeAktualitetKryesore

Brukseli tani jo shuplakë por grusht Ilir Metës: Deklaratat që vënë në dyshim integritetin e diplomatëve tanë, të papranueshme

Brukseli tani jo shuplakë por grusht Ilir Metës: Deklaratat që vënë në dyshim integritetin e diplomatëve tanë, të papranueshme

Maja Kocijancic, zëdhënëse për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë e Bashkimit Evropian, me anë të një deklarate për shtyp i ka cilësuar si të “papranueshme” deklaratat e presidentit Ilir Meta mbi diplomatët në Tiranë.

“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme.

Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së.

Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e Koçijançiç.

BE ndërkohë, ka vlerësuar edhe punën e ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchard, pas raportit të një dite më parë, që ai paraqiti në Vjenë.

“BE mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, ndërsa duke vërejtur se dialogu i intensifikuar me vendet fqinje për të adresuar çështjet bilaterale dhe për të siguruar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbetet thelbësore.

Si përfundim, dëshirojmë të falenderojmë ambasadorin Borchardt dhe stafin e tij për punën e tyre, punë me cilësi të lartë dhe bashkëpunimin e tyre aktiv politik”, thuhet në deklaratë.(TemA)