HomeBlog

A do t’a thërrasë gjyqtari Hazbi Balliu si dëshmitare Ina Ramën se pse propozoi Ols Dadon për prokuror pa plotësuar kriteret?!

A do t’a thërrasë gjyqtari Hazbi Balliu si dëshmitare Ina Ramën se pse propozoi Ols Dadon për prokuror pa plotësuar kriteret?!

Nga Adriatik Doçi

Në Gjykatën Administrative të Tiranës u zhvillua dje seanca gjyqësore lidhur me padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado. Veliaj kërkon pavlefshmërinë e dekretit të vitit 2008 të Presidentit të Republikës së asaj kohe (Bamir Topi), për emërimin e prokurorit Dado, me argumentin se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore.

Çështja po shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu, i kritikuar disa muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, duke e renditur atë në të ashtuquajturën ‘llogore të antiligjit”. Në këtë proces, Ols Dado ka zgjedhur të mbrohet me avokatin Erarbër Madhi. Ky i fundit ka qenë më parë gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Tiranës, koleg me Hazbi Balliun, deri kur u shkarkua nga KPA më 27 korrik të vitit 2023, për fshehje pasurie.

Avokati i Dados natyrshëm kërkoi që kërkesa e Veliajt për shkarkimin e Ols Dados si prokuror të mos pranohej. Duke mos e parë si një argument të fortë mbështetës, avokati Madhi nuk u ndal nëse Ols Dado i plotësonte apo jo kriteret kur u emërua prokuror, por argumentoi se kjo çështje nuk ndikon në ndjekjen penale dhe se në çështjen Veliaj është i përfshirë edhe një prokuror tjetër (Altin Dumani).

Ndonëse pa argumente, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë u pozicionua kundër padisë së Erion Veliajt për shkarkimin e Ols Dados si prokuror. Interesant ishte qëndrimi i Presidencës, e cila u distancua nga emërimi i 18 viteve më parë të Ols Dados në funksionin e prokurorit.

Presidenca shkarkoi moralisht Ols Dadon nga funksioni i prokurorit teksa theksoi se; ‘Nëse Dado do ishte propozuar sot, nuk do të ishte miratuar’. Presidenca pranoi se emërimi i Ols Dados prokuror në vitin 2008 nuk është bërë në përputhje me ligjin.

Jo vetëm kaq. Por Presidenca tha se për emërimin e Ols Dados, në arkiv nuk ka një relacion shoqërues, por vetëm një propozim nga Prokurori i Përgjithshëm (Ina Rama). Ky qëndrim lexohet se Ina Rama i paskërka hedhur hi syve Bamir Topit, duke i çuar për të firmosur emërimin për prokuror të një noteri që nuk plotësonte kriteret. Ose Bamir Topi ka qenë në dijeni se propozimi i Ina Ramës ishte i paligjshëm, por ka mbyllur njërin sy duke i bërë një qokë zonjës ish kryeprokurore.

Të gjitha palët janë pozicionuar me qëndrimet e tyre. E vetmja që nuk e ka thyer heshtjen është ajo, molla e sherrit, shkaku dhe pasoja, Ina Rama, e cila duke kapërcyer ligjin katapultoi mikun e saj Ols Dadon në prokurori, duke futur në këtë valle edhe Bamir Topin (ish president).

A do thirret Ina Rama si dëshmitare në gjyqin për legjitimitetin e mandatit të Ols Dados si prokuror?

Ols Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë. Gjithsesi, ndryshe nga Gjin Gjoni që ka marrë gradën doktor pas arsimit të lartë, Ols Dado e ka kryer arsimin e lartë për juridik, edhe pse me mesatare të ulët dhe pse me ndërpreje tremujore nga fakulteti, pasi ka shkuar në Athinë për të ndjekur një kurs për filozofi, krahas pasionit për violinën.

Pas diplomimit, Ols Dado ka punuar në administratë. Nga data 16.12.1995 deri në 15.2.1996 punoi pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Nga data 16.2.1996 deri në 10.9.1996 punoi pranë “A.M.C” sh.a. Nga data 29.1.1997 deri në 8.11.2000 punoi pranë Bashkisë Durrës. Nga data 1.7.2003 deri në 29.9.2005 punoi në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Në vitin 2008 bëhet noter pa konkurim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado, deri në vitin 2008.

Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec.

Propozimin e saj për mikun e saj Ols Dado, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.

Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.

Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit.

Në këto rrethana, qëndrimi i zonjës Ina Rama në çështjen Veliaj kundër Dados, jo vetëm ka një interes të lartë publik, por mund të ndihmonte gjyqtarin Hazbi Balliun për të marrë një vendim sa më të drejtë.