HomeDosja X

A po hetohet Flamur Noka për “Renxhin e Lulit”?

A po hetohet Flamur Noka për “Renxhin e Lulit”?

“Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani të quajtur ‘Mektrin’, është kontrolluar para pak ditësh dy herë. Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj…Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha… I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke. As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën.”

Ky paragraf është shkëputur nga konferenca e sotme për shtyp e Sali Berishës, i cili i doli në mbrojtje publike sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, i cili, siç e pranoi edhe Berisha, qenka duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme, vetëm se me alibinë e njohur në kësi rastesh që është një keqkuptim, sepse ‘renxhi’ është i Lulit dhe jo i Mulit.

Në fakt, automjeti në fjalë konsiderohet mjet në përdorim i Partisë Demokratike dhe jo pronë private e Nokës që ai të kontrollohet për atë, mirëpo, pikërisht për këtë arsye, sipas burimeve të gazetës TemA-s, Flamur Noka nuk është objekt verifikimi për këtë element.

Në thelb, Flamur Noka është duke u përballur me disa akuza që kanë të bëjnë me vilën e tij në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka pasur kallëzim dhe denoncim publik nga deputeti Gazment Bardhi, duke kërkuar verifikim mbi burimin e financimit dhe mënyrën e përfitimit të pronës.

Një tjetër akuzë lidhet me periudhën kur Noka ka qenë pjesë e Entit Kombëtar të Banesave. Sipas pretendimeve të bëra publike, familjarë të tij, përfshirë motrën dhe vëllezërit, kanë përfituar apartamente në Sarandë si të pastrehë, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe përdorim të pozicionit publik për përfitime familjare.

Këto elemente janë përmendur si pjesë e verifikimeve që pritet të kryhen nga organet e drejtësisë.

Pra, sipas të gjitha gjasave, hetimi ndaj Nokës është i karakterit pasuror, dhe jo për automjetin që përdor dhe që është në emrin e partisë demokratike.

Po ashtu, sipas asaj që raporton media, një nga rastet e diskutuara është apartamenti në zonën e Liqenit Artificial, në të ashtuquajturin “Pallati i Kuq”, me sipërfaqe rreth 190 metra katrorë dhe një garazh rreth 70 metra katrorë, i deklaruar me vlerë 173 mijë euro dhe, sipas asaj që thuhet publikisht në media, vlera reale e kësaj pasurie pretendohet të jetë ndjeshëm më e lartë, duke ngritur dyshime serioze mbi burimin e financimit dhe përputhjen me të ardhurat e ligjshme.

Përveç sa më sipër, janë ngritur dyshime edhe mbi burimin e financimeve për aktivitetet politike të periudhës së “Foltores” dhe organizimet e lidhura me lëvizjen e Berishës brenda PD-së, pas shpalljes së tij “Non Grata”.

Në këtë panoramë, dalja e sotme e Berishës për të folur për “Rënxhin e Lulit” nuk është gjë tjetër vetëm se përpjekje për të relativizuar hetimin e Flamur Nokës dhe për t’i paraqitur ato si sulme politike, ndërkohë, sipas të gjitha gjasave, ato kanë karakter të pastër penal./TemA