Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ky i fundit është shprehur se në çështjen ndaj tij ka “1001 të zeza”. Përmes një postimi, Ahmetaj e konsideron këtë deklaratë si shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe si ndërhyrje të papërshtatshme në një proces që i takon drejtësisë.
Sipas Ahmetajt, deklarata e kryeministrit bëhet në një moment kur çështja ndaj tij ende nuk ka nisur të gjykohet dhe kur hetimet sapo janë mbyllur, çka sipas tij e bën edhe më problematike një qëndrim të tillë publik nga kreu i qeverisë.
“Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.
Një deklarate e tillë publike dhe për një çështje që i takon drejtësisë, përbën pikërisht shkeljen e hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.
Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim.
Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.
E drejta e lirisë së shprehjes për këdo, përfshirë këtu edhe Kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.” – shkruan Ahmetaj.

