Aktori, regjisori i teatrit dhe artisti vizual francez, Arnaud Denis, ka vendosur të përfundojë jetën e tij përmes eutanazisë së asistuar në Belgjikë, në moshën 43-vjeçare. Lajmi u bë i ditur pas një interviste të hapur për gazetën franceze L’Est Républicain, ku Denis shpjegoi arsyet e vendimit të tij.
Sipas Denis, vuajtjet e tij shëndetësore kanë qenë të rënda dhe të vazhdueshme pas një operacioni për hernie inguinale tre vite më parë, i cili i shkaktoi pasoja serioze fizike dhe përkeqësim të gjendjes së tij. Ai tha se gjendja e tij e ka izoluar nga jeta shoqërore dhe profesionale:
“Nuk mund të dal më nga shtëpia. Nuk kam më jetë shoqërore. Kam humbur gjithçka që përbën dinjitetin njerëzor dhe gjendja ime vetëm sa po përkeqësohet. Mjekët nuk kanë më asgjë për të më ofruar,” deklaroi Denis për L’Est Républicain.
Aktori gjithashtu tregoi se në vitin 2023 kishte instaluar një implant, një lloj proteze, e cila më pas u hoq në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2024 për shkak të komplikacioneve serioze dhe efekteve anësore të forta. Edhe pse kjo ndërhyrje kirurgjikale konsiderohet e thjeshtë për shumicën e pacientëve, një përqindje e vogël përjeton pasoja të rënda.
Ky rast ka ngjallur interes dhe reagime në Francë dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi eutanazinë e asistuar dhe të drejtat e pacientëve me sëmundje të rënda./E.K
Burimi: L’Est Républicain

