HomeAktualitetDebat

Ambasadorja amerikane, takim me gazetarët në kulmin e presioneve dhe kërcënimeve nga presidenti Meta

Ambasadorja amerikane, takim me gazetarët në kulmin e presioneve dhe kërcënimeve nga presidenti Meta

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka zhvilluar ditën e sotme një takim online me gazetarë pjesëmarës në Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës në SHBA.

Kim e ka vënë theksin tek forcimi i gazetarisë si shtyllë e rëndësishme e demokracisë.

Teksa pasqyron këtë zhvillim, ndër të tjera ambasada shkruan:

“Sot Ambasadorja Kim u takua me gazetarë pjesëmarës në Programin Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës në SHBA.

Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ajo përsëriti shpresën e saj që gazetaria në Shqipëri të bëhet shtylla e fortë që duhet të jetë në çdo demokraci; duke theksuar edhe rëndësinë që gazetarët të kenë mundësi të jenë të drejtë, të pavarur dhe të guximshëm.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin atë që jeni në gjendje të bëni në pozicionet tuaja. Ne ju mbështesim 100%”, nënvizon Ambasada e SHBA.

Ndërsa vetë ambasadorja Kim shkruan:

“Diskutim shumë i mirë sot me gazetarë që kanë marrë pjesë në programin IVLP të Departamentit të Shtetit.

Demokracia përkufizohet nga e drejta e qytetarëve për të këmbëngulur për llogaridhënien e zyrtarëve, përgjegjësinë e gazetarëve për të bërë pyetje të vështira dhe detyrimin e zyrtarëve për t’u përgjigjur.

Nuk është aksident që liria e shtypit është garancia e parë e Kushtetutës së SHBA”.

Takimi i ambasadores amerikane në Tiranë me gazetarët shqiptarë, vjen në kohën e një sulmi të paprecedentë dhe të egër ndaj tyre, nga ana e presidentit të vendit, Ilir Meta.

Ndaj ky takim mund të konsiderohet edhe si një sinjal mbështetje për gazetarët, për të mos u impresionuar nga sulme të tilla.