Nga Baton Haxhiu
Prej vitesh e kam thënë në studio televizive se drejtësia te ne është amerikane, ndërsa nënshkrimi i dosjeve mbetet shqiptar. Pavarësia funksionon vetëm në teori, kurse në praktikë mjafton një vizitë diplomatike për të kuptuar se kush është “i preferuari”.
Dhe sa herë amerikanët tregojnë preferencën, vota vendase kthehet në formalitet.
Në Rumani, kur Laura Codruța Kövesi u bë kryeprokurore e DNA-së, të gjithë e kuptuan se amerikanët kishin zgjedhur njeriun e tyre. Nuk e fshehën fare, sa që hapur bënin takime publike, foto të dukshme, deklarata të koduara për “mbështetje të fortë” dhe një seri vizitash diplomatike që, në çdo vend normal, do të quheshin sinjale politike. Pastaj erdhi votimi, dhe Kövesi doli fituese pa asnjë dilemë. Rumania mori mesazhin se kur SHBA-të kanë një të preferuar, vendimi është vetëm formalitet.
Tek ne, sot pamë se skenari është i njëjtë. Thjeshtë më i qetë.
Për disa ditë me radhë, delegacionet amerikane u futën e dolën në SPAK si në shtëpinë e tyre, duke bërë foto me të gjithë… përveç atyre që nuk kishin gjasa të bëheshin kryeprokuror.
Pastaj, sot, në mënyrë krejt formale, KLP votoi 7-3. As kundërshti, as dilemë, as dramë. Demokracia shqiptare e ka një talent të çuditshëm përuljeje, se kur amerikanët e duan një njeri, Shqipëria e merr menjëherë vesh se kush është “i duhuri”.
Në fakt, nuk është ndonjë sekret i madh. Çdo diplomat amerikan që mbikëqyr procesin ka karrierën e vet në lojë. Sa më “i suksesshëm” të jetë drejtuesi që ata sponsorizojnë, aq më bukur shkruhet raporti i tyre në Washington. Dhe nëse ky drejtues pas tre vitesh del i fortë, i pastër dhe efektiv, nuk ngrihet vetëm SPAK-u, por, natyrshëm, ngrihet edhe dosja personale e atij diplomati. Sistemi funksionon, vetëm se është sistemi i tyre.
Kjo nuk është as tragjike, as e çuditshme. E çuditshme është të thuash që drejtësia kontrollohet nga Edi Rama. Është edhe thellësisht cinike dhe provokuese. Qëllimisht e bërë.
Amerika përzihet në drejtësinë shqiptare prej tre dekadash, sepse Shqipëria nuk ka prodhuar dot një elitë juridike që t’i besojë vetes më shumë se Ambasadës. Prandaj, edhe sot, si në Rumani dje, fotografia me diplomatin amerikan vlen më shumë se CV-ja, eksperienca apo vota e ndonjë anëtari të KLP-së.
Dhe fundi është gjithmonë i njëjtë: amerikanët nuk zgjedhin prokurorin më të mirë, por zgjedhin atë që i besojnë se i jep stabilitet sistemit, dhe Shqipëria, me qetësi orientale, e quan këtë “pavarësi institucionale”.
Por përtej gjithë cinizmit, ka një të vërtetë strukturore në këtë lojë.
Klodjan Braho nuk është zgjedhur për t’i shërbyer Qeverisë, por reformës. Dhe reforma nuk i përket më askujt në politikë, ajo është jashtë kontrollit të çdo kryeministri, të çdo mandati. Braho nuk do të luftojë kundër një ministri a kundër një kryebashkiaku të ditës.
Ai do të përballet me korrupsionin e rrënjosur, me rrjetet policore të mbijetuara, me oligarkinë e re dhe të vjetër, me të gjithë ata që e kanë parë SPAK-un si rrezik dhe jo si standard.
Dhe pyetja e vetme reale që mbetet është kjo, a do të ketë dëgjueshmërinë amerikane të prekë ata që sot e përgëzojnë?
Në Rumani, Kövesi u bë simbol sepse goditi të paprekshmit.
Në Shqipëri, Braho atëherë do të vlerësohet, kur të prekë ata që e presin me buzëqeshje.
Deri atëherë, Shqipëria vazhdon të jetojë paradoksin e saj të madh në drejtësi. Amerikanët diktojnë ritmin, shqiptarët firmosin rezultatin. Dhe historia mbetet gjithmonë gjykatësi i vetëm që nuk e impresionojnë fotot diplomatike.

