Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të GJKKO-së, që e la në qeli.
Përmes kërkesës së tij, Meta ka argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim. Kreu i PL-së pretendon se masa ‘arrest me burg’ është e pajustifikuar dhe jo-proporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Meta kërkoi në 30 janar 2026 në Apelin e GJKKO-së zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të butë sigurie, por kjo kërkesë u rrëzua.
Në një reagim në rrjete sociale, Meta shkroi pas vendimit të Apelit të GJKKO-së se kjo është një drejtësi me regji dhe se çështja e tij është e manipuluar nga prokurorët me qëllim zgjatjen e paraburgimit.
“Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.
U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim. Për më shumë komunikojmë nesër”, shkroi Meta nga qelia pas vendimit të 30 janarit.

