HomeAktualitet

Autostrada Tiranë-Durrës drejt përfundimit: Hapet javën e parë të Majit…

Autostrada Tiranë-Durrës drejt përfundimit: Hapet javën e parë të Majit…

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka inspektuar punimet në kantierin e zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, të cilat tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare.

“Gjendemi sot në aksin Tiranë-Durrës, aksi më i rënuar sa i përket trafikut në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrjen në Tiranë nga veriu, hyrjen nga aeroporti i Rinasit, por edhe lidhjen me qytetin e Durrësit”, tha ministri gjatë nisjes së fjalës së tij, duke thënë se ky aks është një segment i rëndësishëm për vendin.

Karakaçi tha se u kërkon ndjesë qytetarëve për trafikun e rënduar e krijuar nga punimet, ndërsa i falenderoi gjithashtu edhe për mirëkuptimin.

Sa i takon vonesave gjatë punimeve, ministri shpjegoi se një nga arsyet lidhet me fluksin e lëvizjeve të këtij aksi, që është më i rënduari në vend. Por po ashtu ndikim kanë patur edhe kushtet e vështira të motit të lagësht të muajve të dimrit.

Ndërsa bisedonte me përfaqësues të ARRSH-së, Karakaçi tha që shpresonte që në maj, të hapej i gjithë aksi rrugor.

“Java e parë ministër ju siguroj që do e gjejë këtë kantier të hapur!”, iu përgjigj bashkëbiseduesi.