Babëzia e betonit prek edhe lagjen ekzistuese në Tiranë, ku mes tyre po ndërtohen godina shumëkatëshe pa asnjë plan urbanistik apo pa mbajtur as distancat.
Një rast i tillë është denoncuar nga banorët pranë zonës së “Brrylit” në Tiranë, të cilët thanë se leja është dhënë disa muaj më parë dhe synon që sheshi i pallatit të vjetër, të cilit çuditërisht i doli edhe pronari, të kthehet në një masiv të madh betoni.
Pas denoncimit, redaksia shfletoi dokumente nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ku rezulton se leja është për një pallat plot 12 katësh mbi tokë dhe 3 kate nëntokë. Leja e firmosur nga Edi Rama i është dhënë firmës “Walter Construction”, me pronar shtetasin Demokrat Valteri, teksa ditët e fundit është zbardhur edhe pozicionimi.
FOTO dhe DOKUMENTE/ Babëzia e betonit, pallat 12 katësh mes pallateve
FOTO dhe DOKUMENTE/ Babëzia e betonit, pallat 12 katësh mes pallateve
Në foto: Projekti i pallatit 12 katësh në zonën e “Brrylit”, që do të ndërtohet nga firma “Walter Construction”
Në maketin e publikuar duket mjaft qartë kjo babëzi. Pallati 12 katësh është ngjitur me një tjetër pallat ekzistues, madje është në zonën që dikur ka qenë sheshi i pallatit të vjetër.
“Kjo është një ndër zonat më në zhvillim të qytetit, duke sjellë një numër të madh fluksesh. Ndërsa, më në brendësi, zona në studim ka mungesë infrastrukture, me objekte kryesisht te ndërtuara para viteve ‘90 dhe me mungesë të hapësirave publike e rekreative” shkruhet çuditërisht në dokumente.
Pikërisht në një nga këto sheshe, që duhet të ishte i banorëve, po ndërtohet edhe godina e re. Por, nëse ndërtohet, a ka më sheshe dhe hapësira publike dhe rekreative? Ku do t’i bëjë këto sheshe kjo firmë, apo edhe firmëtarët që i dhanë lejen, në tarracën e pallatit?
FOTO dhe DOKUMENTE/ Babëzia e betonit, pallat 12 katësh mes pallateve

Në foto: Gjendja ekzistuese e sheshit të ndërtimit në afërsi të Bulevardit “Bajram Curri”
Në dokumentet që ka hulumtuar redaksia jonë shkruhet se njësia ndodhet përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, në afërsi të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Mësohet se godina e re do të shfrytëzohet për banim, infrastrukturë dhe 2 % për shëndetësi.
“Në zonë paraqiten godina të amortizuara dhe me ndërhyrje të shumta spontane nga banorët. Objekti 5 kate mbi tokë është me strukturë murature, me fasadë të pa suvatuar në disa pjesë dhe me ballkone të mbyllura individualisht me panele alumini ose PVC, duke krijuar një pamje jo uniforme” thuhet në dokument.
Pikërisht trualli ku do bëhet pallati i ri ka qenë sheshi i pushimit të atij pallati. Nëse nuk do të ishte zaptuar, apo t’i kishte dalë çuditërisht pronari, zona do të ishte mjaft funksionale. Nëse vetë shteti bën aksione për lirimin e hapësirave publike, sytë duhet t’i kishte kthyer edhe nga këto biçim troje. / Voxnews

