HomeAktualitetDebat

Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari

Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari

Drejtësia ishte kryefjala e konferencës së fundvitit të kryeministrit Edi Rama, i cili në 3 orë para gazetarëve bëri edhe një bilanc të punës për vitin që lamë pas dhe synimet për 2026-ën. Shefi i qeverisë është i qartë në qëndrimin e tij përballë thirrjeve të opozitës për dorëheqje, të shtuara pasi SPAK kërkon arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, por edhe pas hetimit të AKSHI-t. Kryeministri e bëri të qartë se deri në vitin 2029, Shqipëria do të udhëhiqet nga Partia Socialiste, e cila në zgjedhjet e 11 majit fitoi 83 mandate përballë disfatës së thellë të opozitës.

“Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenari për ne”, tha kryeministri Rama.

Me argumentin se Kuvendi nuk është një zyrë noterie, por një lloj gjykate, kryeministri Edi Rama kritikoi dosjen e paraqitur nga SPAK teksa kërkonte autorizim për të arrestuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama tha se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK dhe se prokurorët e Posaçëm nuk mund të vijnë në Kuvend me një USB të pretenduar se përmban 16 mijë faqe me prova, të cilat nuk i cilësoi gjë tjetër veçse ‘arkivi i ministrisë’.

“Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda”, tha Kryeministri Rama.

Gazetarët i kujtuan se në atë dosje, janë edhe mesazhe ku përmenden takimet e Ramës me biznesmenë vendas dhe të huaj që kanë fituar tenderë në Shqipëri.

“Ramë Geci e ka telefonin tim në dispozicion 24 në 24 siç e kanë të gjithë se unë nuk jam një hu gardhi por për të ndihmuar njerëz, jo për të dhënë tenderë, por për t’i mbështetur. Kam takuar shumë kompani turke, dhe nuk dua të di fare se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri”, theksoi Rama.

Më tutje komentoi edhe hetimin e SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, institucion të cilin e vlerësoi për të gjithë punën e bërë për procesin e dixhitalizimit dhe atë në rrugën drejt BE-së.

“AKSHI është një institucion krenarie për ne. 620 mld lekë, që janë 620 mln euro, ka kursyer AKSHI për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI, 33 mln euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 mln shërbime të ofruara, 12 mln dokumente elektronike të gjeneruara”, theksoi kryeministri Edi Rama duke njoftuar se brenda muajit shkurt do të lançohet e-Albania 2.0.

Shefi i qeverisë komentoi edhe emrin e Ergys Agasit, biznesmenin në kërkim, për të cilin opozita e akuzon se e përdorte si koordinator të krimit.

“Janë çerek të vërteta, se nxirret një copë këtu, një aty, ushqehet publiku me këto gjëra për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm derisa t’i dënojë gjykata. Mua çfarë nuk më vret vetëm më forcon”, tha Rama.

Rama foli edhe për Erjon Veliajn që prej një viti qëndron në qeli, duke dhënë kët koment: “Në burg pa gjyq. Unë ende nuk e di se çfarë ka bërë. Korrupsion nuk kam parë”.

Kundërshtarëve politikë ju dha këtë mesazh fundviti: “Unë në zyrë dhe PS në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë”.