Banka Qendrore e Rusisë ka paraqitur një padi në Gjykatën e Arbitrazhit në Moskë kundër depozitarit belg Euroclear, duke pretenduar se ky institucion ka shkaktuar dëm duke bllokuar aksesin në asetet ruse.
Padia vjen vetëm një ditë pasi pothuajse të gjitha vendet e BE-së miratuan vendimin për ngrirjen pa afat të fondeve ruse.
Me këtë veprim, Moska po përpiqet të pengojë përdorimin e aseteve të ngrira për financimin e ndihmës ndaj Ukrainës. Vendimi i BE-së parashikon që fitimet e gjeneruara nga asetet e ngrira ruse të përdoren për të mbështetur Kievin, një plan që është mbështetur nga disa shtete anëtare.
Padia e Bankës Qendrore ka shkaktuar shqetësim në Belgjikë dhe te vetë Euroclear, të cilët po ashtu janë kundër përdorimit të fondeve ruse për Ukrainën. Megjithatë, praktika aktuale e BE-së vazhdon të favorizojë që këto asete të shërbejnë si burim financiar për mbrojtjen dhe rindërtimin e vendit të sulmuar.
Moska pretendon se bllokimi i fondeve është i paligjshëm dhe cenon stabilitetin financiar të Rusisë, ndërsa Brukseli argumenton se masa është një përgjigje e drejtë ndaj agresionit rus.
Procesi gjyqësor pritet të ketë pasoja të rëndësishme politike dhe ekonomike, teksa përplasja për asetet e ngrira hyn në një fazë të re.

