HomeDebat

Basha rrëzon skenarët për djegien e mandateve, PD-LSI fusin në lojë planin “Meta” për ligjin e Teatrit, zbardhet aksioni i ri i opozitar në Kuvend

Basha rrëzon skenarët për djegien e mandateve, PD-LSI fusin në lojë planin “Meta” për ligjin e Teatrit, zbardhet aksioni i ri i opozitar në Kuvend

Partia Demokratike ka rrëzuar skenarët për djegie mandatesh. Edhe pse u përfol në disa media se Partia Demokratike do të digjte mandatet, kreu demokrat Lulzim Basha i ka hedhur poshtë të gjitha këto aludime. Në një deklaratë për mediat, Basha, deklaroi se djegia e mandateve është opsioni më i thjeshtë për PD. Basha tha se qëllimi i vetëm i opozitës është të të përballet me qeverinë.

Ndërsa sa i takon çështjes së refuzimit të ftesës së ambasadorëve për festën e lamtumirës të së enjtes Basha tha se PD nuk mori pjesë për shkak të kalendarit të punimeve në Kuvend. Megjithatë në lidhje me këtë çështje dje u aludua në media se opozita nuk morri pjesë në festën e Vlahutin dhe Donald Lu për faktin se ambasadorja e BE e ka blerë vilën e saj nga një trafikant droge. “Pyetja e dytë është fare e thjeshtë. Me përjashtim të qenieve mbinatyrore, qeniet njerëzore nuk kanë aftësinë të jenë në dy vende në të njëjtën kohë, ne ishim në Parlament.

Për pyetjen e parë, ajo që sapo thash është e qartë. Mjetet dhe kalendarin nuk kam ndërmend t’i bëj subjekt të sensacioneve mediatike. ​Të jeni të sigurt se jemi të vendosur t’i ndjekim hap pas hapi të gjitha etapat dhe të gjitha opsionet; ku djegia e mandatave është opsioni më i lehtë, përballja dhe çlirimi i parlamentit, çlirimi i Shqipërisë nga krimi është objektivi ynë dhe ne do ta arrijmë së bashku me të gjithë qytetarët”, tha ai.

 Opozita vë në zbatim planin “Meta”

Miratimi i projektligjit të teatrit nga ana e mazhorancës dy ditë më parë ka vënë në lëvizje opozitën. Ashtu siç gazeta e deklaroi dje, fronit opozitar ka vënë në zbatim planin “Meta” për të rikthyer edhe njëherë në Kuvend projektligjin e teatrit. Kreu demokrat, Lulzim Basha, gjatë deklaratës për media, i bëri thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë projektligjin e teatrit.

“Edi Rama është njeriu që fushat dhe kodrat përreth Tiranës i ktheu në fusha të shëmtuara betoni për para e për pushtet. Është njeriu që e ktheu Tiranën në një lavatriçe të pastrimit të parave me lejet e ndërtimit, por tani po e kthen gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës. Edi Rama nuk ka për tu ndalur me kaq. Ai duhet ndalur! Ne i bëjmë thirrje Presidentit të mos dekretojë ligjërimin e vjedhjes.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen artistëve, aktivistëve dhe të gjithë atyre që kanë protestuar me kurajo prej muajsh. Forca e vetme që ka Edi Rama është indiferenca dhe mosveprimi. Bashkë nuk ka njeri që ta shembë Teatrin”, tha Basha.

Zbardhet aksioni politik i PD

Ndërkohë më herët Partia Demokratike ka mbledhur dje dhe grupin parlamentar nga ku ka vendosur dhe aksionin politik të javës. Sipas informacioneve, Basha u ka bërë të ditur deputetëve se nuk do të ketë bojkotim seancash plenare dhe se PD do të vijojë luftën me qeverinë brenda sallës së Parlamentit. Ndërsa sa i përket çështjes së pjesëmarrjes së Komisioneve Parlamentare, Basha ka deklaruar se bojkoti i tyre do të jetë i pjesshëm.

Ndërkaq, Basha u ka kërkuar deputetëve që të vijojnë me denoncimin e aferave të qeverisë si dhe të mos lejojnë zhvillimin e normal të seancave të komisioneve parlamentare. Por krahas këtyre informacioneve, Basha i ka porositur deputetët që të vijojnë luftën me mazhorancën në lidhje me projektligjin e teatrit si dhe të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkaq, sipas informacioneve, Basha u ka kërkuar deputetëve që të takohen me qytetarët dhe t’i ndërgjegjësojnë ata në mënyrë për të mbështetur protestat, që opozita dhe shoqëria civile do zhvillojnë për mos shembjen e teatrit.