HomeAktualitetBlog

Berisha, lobim milionash në SHBA, po e ‘rrjepin’ edhe në Berlin?!

Berisha, lobim milionash në SHBA, po e ‘rrjepin’ edhe në Berlin?!

Nga Jakin Marena

Edhe pse është një narrativë e ngritur mbi thashethemet lart e poshtë, e shumëfishuar dhe nga njerëzit afër opozitës dhe brenda saj, kreu i PD, Sali Berisha po e shfrytëzon në mënyrën më të keqe të mundshme qasjen e Gjermanisë ndaj Ballkanit, e për pasojë dhe ndaj Shqipërisë!

Berisha ka arritur deri aty sa të besojë dhe mashtrimet e veta, të cilat i përcjell përmes mediave të tij që nga Berlini apo Brukseli ku shkon herë pas here në ato udhëtimet e tij private, disa herë me pasaportën e Albana Vokshit, teksa ka mbajtur fjalime nëpër korridoret e institucioneve ndërkombëetare apo të PPE-ve, e që pas disa kohesh në Tiranë, i hedh si të vërtetat e kulluara!

Zëvendësimi i flamurit amerikan me atë gjerman, në protestën e dhunshme të organizuar nga PD ditën e 22 marsit, i tregon më së miri luhatjet politike ‘sezonale’ të PD, duke tentuar të turret dhe të marrë në dorë kauzat informale të krijuara nga vetë ai, për t’i paraqitur para publikut si lëvizje ‘tektonike’ të aleatëve tanë të mëdhenj kundër qeverisjes së Edi Ramës!
Berisha ka zëvendësuar tashmë në masën 100 përqind narrativën e tij dhe të mbështetësve që e përkrahin edhe në ëndrrat më të parealizuara në planet, atë të dërgimit së helikopterëve dhe të ‘delta-forcës’ amerikane nga ana e presidentit Trump drejt e në Surrel për të arrestuar dhe rrëmbyer Edi Ramën, e për ta dërguar për gjykim në SHBA, me atë të ‘pancerave’ gjermanë, të cilët sipas kauzës së rremë që ka zënë vend në selinë e PD, do ta ‘rrëmbejnë’ Ramën dhe ta largojnë nga pushteti! Pasi sipas tyre gjermani nuk fal askënd, përfshirë dhe Ramën!

Ditën e ‘Nevruzit’, teksa Berisha në krye të më pak se 500 ‘kryengritësve’ opozitarë përkujtoi fitoren e vetme të PD në këto 36 vite, pjesa tjetër kanë qënë kalkulime dhe çarje të të majtës, përkujtim ky i shoqëruar me hedhje molotovësh e lëndëve të tjera pirotektnike në godinat e kryeministrisë, Parlamentit, ministrisë së Brendshme, ministrisë së Infrastrukturës, selisë së PS, biznesve nëpër Tiranë, si dhe koshave të plehrave e stacioneve të autobusëve anës rrugës, në krye të kësaj mase të pakët protestuesish prinin ‘qëndrestarë’ që mbanin flamurin gjerman! Për të treguar ndoshta për mbështetësit e paktë të PD, se tani e tutje simboli që do të përdoret kundër qeverisë së Ramës do të jetë ai gjerman, me nënkuptimin e nëndheshëm, sipas Berishës, se Gjermania përkrah dhunën ndaj institucioneve, për të ‘larguar regjimin e Edi Ramës’!
Por një tentativë e tij për të përdorur Berlinin si ‘koracë’ në sulmet ndaj qeverisë përmes dhunës ndaj institucioneve është shembur në të zbardhur të ditës së hënë! Ka qënë ambasada gjermane, ajo që në mënyrë të prerë dhe pa asnjë tërheqje prapa ka kërkuar distancimin e PD nga dhuna ndaj institucioneve, pasi për qeverinë gjermane, dhuna është e pararanueshme!
“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, ka qënë qëndrimi zyrtar i qeverisë gjermane, përmes ambasadës së saj në Tiranë! Duke e ‘fikur’ kauzën e Berishës, i cili kërkon të krijojë idenë e rrejshme se Berlini e përkrah në sulmin ndaj institucioneve për rrëzimin e Ramës, deri aty se ta përdorë dhe flamurin gjerman si simbol të këtij aksioni opozitar! Theksojmë se, për herë të parë në këto 36 vite ndodh përdorimi i flamurit gjerman në protestat politike apo të aktivitetet e ndryshme politike!
Çfarë na tregon kjo mënyrë të të bërit ‘kryengritje paqësore’ nga ana e Berishës, e shoqëruar me tentativën e djegies së institucioneve kryesore të vendit, duke mbajtur flamurin gjerman tashmë në ballë të turmës, në vend të atij amerikan që e kanë mbajtur gjithëherë PD dhe partitë politike?!

Në krye të herës, përdorimi nga ana e Berishës i flamurit gjerman në vend të atij amerikan nëpër këto ‘kryengritjet paqësore’ me 300 deri në 500 demokratë kundër institucioneve, me ‘pishtar’ në dorë, tregon se lideri demokrat i ka ‘qarë me lot’ ato më tepër se 10 milionë dollarët e përdorur për lobim në SHBA, për të hequr ‘non gratën’ apo për të siguruar një vizë pune në territorin e SHBA! Jo vetëm që Trump nuk i hoqi ‘non gratën’ dhe as nuk e ‘rrëmbyen Ramën’ sikurse bënë me Manduron për t’i ‘liruar vendin’ këtu në Tiranë për postin e kryeministrit, por tashmë janë zhdukur dhe lobuesit me në krye ‘të madhin’ fare, LaCivitan, pranë presidentit amerikan, e bashkë me lobuesit të cilët kanë ‘firuar’ si para e shkuar dëm mbi 10 milionë dollarët e hedhur për të ‘zbutur’ qeverinë amerikane, në lidhje me sanksionimin e tij!

Jemi të bindur se 10 milionë dollarë nuk janë asgjë për Berishën, pasi nuk i ka paratë e veta! Nga arka e shtetit janë marrë, sepse kur ka hyrë në politikë, ‘pa brekë’ si të gjithë shqiptarët e tjerë ka qënë, me një hyrje të vogël në lagjen e ‘Brakës’! Ndaj nuk i dhemb koka për këto para të shkuara dëm, ku ‘gjuetarët e shpërblimeve’ në Uashington, në bashkëpunim me këta parazitet e PD-së në Tiranë, e zhvatën ‘plakun’ Berisha, me premtimin e rrejshëm se do ta hiqnin ‘non gratën’. Madje ia bënë të sigurtë këtë, megjithëse e rropën financiarisht! Dhe po hetohet për këto para të hedhura për lobim në SHBA, pasi janë shuma të mëdha për një zyrtar shteti që s’ka biznes! Shpresojmë ta kenë marrë mesazhin edhe mbështetësit e Berishës në terren e këta të paneleve televizive, pasi do të duken si gjithnjë me ‘vonesë faze’, duke mbrojtur kauzën amerikane të mbështetjes së PD dhe Berishës! Eshtë gjermani tani në ‘horizont’, si kauzë e Berishës!

Nga ana tjetër jemi të bindur se Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë një keqkuptim të madh në lidhje me politikën e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë! Madje kanë një keqkuptim dhe me atë shenjën e katër gishtave që kancelari Merz përdori në Tiranë, që ‘tjerri’ dhe atë ‘sagën’ e keqkuptimeve më pas të opozitarëve tanë që e duan pushtetin pa votë, ose në gjuhën e thjeshtë shqiptare ‘qyl’! Meqë jemi në kuadrin e aludimeve, edhe ne po aludojmë, në ndryshim nga PD që aludimin e bëri kauzë politike, se mos ndoshta Merz ka dashur të bëjë krahasimin me Helmut Kohlin apo Angela Merkelin, të cilët kanë qënë kancelarë të Gjermanisë nga katër mandate të plota, pra plot 16 vite në krye të Gjermanisë! E themi këtë që Berisha e mbështetësit e tij ta llogarisin dhe këtë variant e ta marrin sa më lehtë këtë punë! Sepse me sa duket situata dhe mbështetja e deritanishme ndaj Merz, mund të arrijë dhe ai që të fitojë po 4 mandate në qeverisje, kjo e parë në kushtet e rënies së të majtës, ringritjes së Gjermanisë si fuqi botërore dhe përpjekjes për të mbajtur larg pushtetit Adf ekstremiste!

Keqkuptimi i dytë i Berishës dhe mbështetësve të tij me Berlinin është në lidhje me pretendimin e opozitës shqiptare se është bllokuar procesi i integrimi të Shqipërisë në BE! E deklaron me tone të larta këtë gjë Berisha, madje me shumë gëzim, në kushtet kur në Berlin PD ka ngritur ‘shtabin’ e saj me kohë të plotë kundër integrimit të Shqipërisë në BE! Vazhdimisht, një zyrtar i lartë demokrat, i mbështetur më pas nga Berisha apo Albana, është duke lobuar në Berlin për të penguar sadopak ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE!

Ndonëse kanë lobuar fort, dhe që të jemi korrektë me veten e shqiptarët, lobimi nuk bëhet pa para, asnjëherë qeveria gjermane apo institucionet e tjera gjermane, qoftë në Parlamentin Evropian ashtu dhe në Komisionin apo Këshillin Evropian, s’kanë artikuluar deklarata kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Përkundrazi, kanë deklaruar përshpejtimin e këtij procesi! Gjermane është dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila ka deklaruar se Shqipëria duhet të jetë anëtare e BE, tani, bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor! Deklarata më e fundit ishte ajo e presidentes së Bundestagut, e cila në takim me homologun Peleshi deklaroi mbështetjen për Shqipërinë! Pra deri më tani ka dalë bosh Berisha dhe PD në lobimet e veta në Berlin!

E në fund të herës, një këshillë miqësore për Berishën, që, të mos e ‘rrjepin’ më nga paratë për këto lobimet e pafrytshme që ka organizuar këndej dhe andej, vetëm për hallin e tij personal dhe për të nxirë Shqipërinë e shqiptarët! Mbi 10 milionë dollarë i humbi pa nam e nishan në lobimet që organizoi në SHBA për të hequr non gratën dhe ku nuk mori asnjë vizë! Dha miliona USD në Uashington për të goditur Ramën apo për ta ‘rrëmbyer në Surrel’, siç kishte dëshirë të përsëriste deklaratat e ‘grabitqarëve’ të parave të tij për këto lobime, ndërsa Rama kapërceu Atlantikun, takoi Trump personalisht teksa anëtarësoi Shqipërinë në Bordin e Paqes! Sepse mund të ndodhë, dhe gjasat janë që të ndodhë, që së shpejti Kryeministri Rama të ketë një vizitë në Berlin dhe për pasojë takime me kancelarin Merz! Duke bërë që lobimi i PD në Gjermani kundër Shqipërisë në BE e kundër kësaj mazhorance, të shkojë dëm! Siç shkuan dëm 10 milionë dollarët e lobuar në SHBA!

Ndaj i themi Berishës që bën mirë ta shtrëngojë një çikë ‘qesen’ e parave për këto lobimet, pasi ‘grabitqarët’ mashtrues janë mësuar tashmë, mendojnë se do t’ia fusin sërish ‘plakut’ siç bënë me lobimin me SHBA, ku më së paku ia ‘thithën’ mbi 10 milionë euro! Mund ta bëjnë dhe me këto ‘lobimet’ pa sukses me Berlinin! T’i marrin miliona euro të tjera! Dhe një ‘kujdes’ i tillë për Berishën nga ana jonë nuk bëhet se na dhimbsen paratë që humb kreu i PD për lobime, apo se na vjen keq për kreun e PD e paratë e shkuara dëm të tij!

Për hir të së vërtetës ne na vjen keq se këto para janë marrë nga arka e shtetit shqiptar përmes abuzimeve me pushtetin, dhe shpresojmë që një ditë ato para do të rikthehen aty ku u morën! Sepse besojmë fort te drejtësia e re, që herët apo vonë, para apo pas vdekjes, larg qoftë, të kreut të PD, dhe me gjithë zvarritjen e mundshme, hetimi e gjykimi për pasurinë e Berishës do të përfundojë e paratë do të kthehen për shqiptarët! Prandaj apelojmë për Berishën që të mos e ‘rrjepin’ dhe për Berlinin, siç bënë për Uashingtonin!