Në zgjedhjet e prillit 2021, Rama u përball me garën më të vështirë elektorale si kryeministër. Partitë opozitare (PD, LSI, PR, PDIU, PAA, etj.) ishin shumë afër marrjes së 71 mandateve parlamentare (në disa qarqe nuk e morrën dot mandatin thjesht për një grusht votash).
Por pas rikthimit të Berishës dhe Metës në krye të PD-së dhe LSI-së, situata elektorale për Ramën ndryshoi për mirë në mënyrë drastike. Më 11 maj 2025, PD, LSI, PR, PDIU, PAA, etj., morën vetëm 50 mandate parlamentare, duke e lënë fushën të lirë për PS-në që të merrte 83 mandate dhe 7 mandate të tjera për disa parti të vogla.
Nga maji 2025 e deri më sot, në sondazhet periodike që kam zhvilluar, PS-ja ka pothuaj dyfishin e përkrahjes së PD+LSI+etj., ndërkohë që përkrahësit e partive të vogla janë sa çereku i atyre që votuan për to më 11 majin e vjetshëm.
Krahasuar me vitin 2021( kur votuan për PS-në mbi 800 mijë zgjedhës të këtushëm), ka një tkurrje elektorale të partisë kryesore (aktualisht atë e votojnë rreth 700 mijë zgjedhës të këtushëm). Por nga ana tjetër, tkurrja e kampit kundërshtar është dramatike (vetëm 365 mijë zgjedhës të këtushëm votojnë për PD, LSI, PR, PDIU, PAA, etj.).
Me pak fjalë, betejën Rama tani e ka në sinorin rozë-gri, për të thithur sa më shumë përkrahës në këtë sinor. Sepse sinori blu i Berishës është i papërfillshëm… /Eduard Zaloshnja

