Prej kohësh Dubai ishte kthyer në strehën e personazheve të botës së krimit të cilët ishin shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Duke shfrytëzuar mungesën e një marrëveshjeje ekstradimi midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të shumëkërkuarit qëndronin të sigurt në Dubai për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare.
Me kalimin e kohës ky fenomen u kthye në mit për krimin. Por tashmë ky mit nuk ekziston më dhe Dubai nuk është një strehë e sigurt për krimin, pasi nga atje në total janë ekstraduar 15 shtetas shqiptarë. Shenja e parë që Dubai po “thyhej” u dha më 13 mars 2024 kur u ekstradua Bruno Çobo, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare për “Mashtrim Kompjuterik”.
Një muaj më pas u realizua edhe ekstradimi i dytë i shtetasit, Panol At Nikoll, edhe ai i akuzuar për mashtrim kompjuterik. Më 14 gusht 2024 u realizua ekstradimi i bujshëm, nga Dubai në Shqipëri, i Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për vrasje. Pas një përiudhe pauze më 2 maj 2025 u ekstradua 45-vjeçari nga Elbasani, Florenc Çapja, i akuzuar për vrasje dhe organizatë kriminale.
Një muaj më pas u ekstradua, Armis Stafa, i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash. Ekstradimi i shtatë nga Dubai ishte vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, Dashnor Dumani. 41-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Më 19 qershor 2025 u realizuan tre ekstradime brenda ditës nga Dubai. Drejtësisë shqiptare iu dorëzuan Maksim Koçi, Ervis Daka dhe Ado Xhika alias Cërriku. Ekstradimi i njëmbëdhjetë do të ishte Denis (Brajoviç) Bajri më 27 korrik 2025.
Në nëntor 2025 u ekstraduan personazhi i njohur Kleviol Ahmeti për veprën penale “largimi i të burgosurit nga vendi I vuajtjes së dënimit” dhe i kërkuari i SPAK, Amar alias Dritan Shkëmbi për veprën penale “Vrasje e funksionarëve publikë”. Qershia mbi tortë ishte ekstradimi i Durim Bami më 26 shkurt 2026, i konsideruar edhe si ekstradimi më i bujshëm nga Dubai.
Përveç 15 të ekstraduarve, priten edhe 5 të tjerë të kthehen në Shqipëri, ndërsa Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit vijon komunikimet intensive me autoritetet në Dubai për realizimin e ekstradimit të pesë të kërkuarve të tjerë nga drejtësia shqiptare, duke vulosur fundin e “mitit” të Dubait si azil për krimin.

