HomeHumor

Bilushi i Metës ka rezerva për bllokimin e Twiterit të Pollos

Bilushi  i Metës ka rezerva për bllokimin e Twiterit të Pollos

Genc Pollo është politikani i dytë në botë pas Donald Trump-it që i mbyllet Twitteri, sipas një njoftimi të tij.

Lajmi ka rënë si bombë në zyrat e opozitës, pasi të gjithë e shikojnë këtë si një truk të Genc Pollos për t’u dukur më i rëndësishëm se të gjithë të tjerët.

Meta thirri Bilushin për ta udhëzuar për situatën.

-Kjo e Pollos është një mashtrim.

Njeriu më i rëndësishëm në Shqipëri për Donald Trump-in kam qenë unë.

Unë kam mbështetur çdo lëvizje të tij dhe kam pritur që edhe ai të na ndihmojë.

Ai në fakt nuk na ndihmoi, por unë e bëra timen.

Pollo nuk ka asnjë argument që ka qenë mbështetës i Trump-it.

-Ai thotë se Twitteri e ka bllokuar, pasi e ka identifikuar si kokëkuq dhe të djathtë dhe algoritmi e ka nxjerrë të përputhur me profilin e Trump-it.

-Kjo është jo serioze, tha Meta.

Vlera kryesore e Trump-it nuk ishin flokët e kuq, por idetë e tij.

Kjo është fyerje për opozitën shqiptare.

Luli harxhoi 100 mijë euro të dilte në foto, Mediu ndenji në shi para hotelit mos takonte djalin e tij, Xhelali i vuri emër rrugës në Kamëz, Tritani veshi furgonin e fushatës në Gjirokastër me foton e tij me Lulin, kurse Pollo tallej me ne atëhere.

Tani si u bë ky me Trump-in?

-Ndoshta e ka mbyllur dhe vetë dhe do të bëjë si interesant, i tha Bilushi.

Do jetë bezdisur nga komentet e Bujar Nishanit në çdo Twitter.

-Po pra. Ja më kujtove Bujarin.

Po të nisej nga kriteri i budallait, Twitteri do kishte bllokuar Jarin.

Atë se ka bllokuar, dhe pse u përzihet në komente gjithë liderëve të botës.

-Ke shume të drejtë shef. Do t’i shkruaj Twitter-it t’ia hapë llogarinë, se po spekulon që të duket i rëndësishëm në Shqipëri.

Ata s’mund të veprojnë me kokë të tyre.

Po duan kokë kuq, u gjejmë kokë kuq, se i ngjyejmë flokët, por jo kë të duan ata.