HomeHumor

Bilushi i Metës paralajmëron planin për mbylljen e Facebook-ut të Doktorit

Bilushi i Metës paralajmëron planin për mbylljen e Facebook-ut të Doktorit

Pas një ankete provokuese të Top Channel-it, që pyeste nëse duhej mbyllur dhe Facebook-u i Doktorit, pas atij të Trump-it, Bilushi i Metës prezantoi planin për mbijetesë, në rast të këtij sulmi:

“Të dashur miq!

Sulmi që po përgatitet ndaj Facebook-ut të Doktorit është një sulm kriminal.

Nga të dhënat tona, disa oligarkë të Shqipërisë, që kanë marrë tenderat e fundit, kanë kontaktuar me Zukenbergun dhe i kanë paraqitur argumente të rreme, sikur Doktori dhe Trumpi janë vëllezër.

Për këtë ata kanë marrë gjithë fjalimet e Doktorit, ja kanë përkthyer me manipulime, për t’i treguar se këto që ka bërë Trumpi sot, Doktori i ka bërë që më 1998 në Shqipëri.

Më pas i kanë përkthyer deklaratat e qëndrimet e Doktorit, që janë identike si këto të Trump-it sot.

Në fund ata kanë dashur të provojnë se të gjithë idetë e Trump-it janë kopje të ideve të Doktorit.

Fjala vjen, ka akuza të tilla që ky është i vetmi që nuk ka pranuar asnjëherë zgjedhjet në Shqipëri, sa herë ka humbur, që ka sulmuar Parlamentin dhe zyrat e Qeverisë, që ka sulmuar gazetarët dhe ka sulmuar në fund dhe bashkëpunëtorët e vet kur e tradhtojnë, siç i ndodhi Trump-it.

Pra ideja është që Trumpi ka kopjuar Doktorin dhe duhet zhdukur nëna e së keqes.

Ky është një plan djallëzor.

Aq më tepër kur përpiqen të gjejnë dhe ngjashmëri fizike mes Doktorit dhe Trump-it, kur flasin.

Për t’i dalë para kësja të keqe, ne kemi dy alternativa të shpejta.

E para, Doktori të përdorë Facebook-un e Zeni.net, meqë është dhe i sponsorizuar, dhe t’i ndryshoj emrin duke e shkruar thjesht “Babi i Zenit”.

Demokratët do ta kapin mesazhin dhe do vrapojnë aty.

E dyta, është që Luli t’i japë Facebook-un e tij, duke ndryshuar emrin në “Lulzim Basha i Vërteti” .

Kjo nënkupton menjëherë Doktorin dhe gjithçka do vazhdojë normalisht.

I vetmi problem është se kur Doktorit t’i rikthehet Facebook-u, Lulit do t’i duhet shumë punë ta mbajë atë që do t’i lërë Doktori.

Por ne do ta ndihmojmë të gjithë ta përballojë.”