HomeAktualitetDebat

Bullgaria bllokon Shqipërinë për shkak të Maqedonisë së Veriut, nuk hapen as kësaj radhe negociatat

Bullgaria bllokon Shqipërinë për shkak të Maqedonisë së Veriut, nuk hapen as kësaj radhe negociatat

Zëvendëspresidentja e Bashkimit Europian, Paola Zacarias, njoftoi se as këtë herë nuk ka çelje negociatash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shkak është bërë veto-ja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, nga e cila u prek edhe Shqipëria.

Ministrja portugeze për Çështjet e Jashtme, Ana Paula Zacarias, vend i cili mbante Presidencën e radhës të BE-së, konfirmoi se nuk u arrit në një konsensus për të miratuar kornizat negociuese për Shqipërinë dhe RMV.

Kjo ishte konferenca e fundit nën Presidencën portugeze dhe Zacarias shtoi se do të jetë Presidenca sllovene ajo që do të vazhdojë përpjekjet për të vendosur sa më shpejt një datë për konferencën e parë të dy vendeve me BE-në.

“Ne e nisëm ditën me bisedimet për zgjerimin. Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, ishte e pamundur që të arrijmë një dakordësi për mbajtjen e kornizën e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne shpresojmë se Presidenca sllovene do të mund të arrijë në përcaktimin e datës. Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një pjesë jetike e Bashkimit Evropian”, tha Zacarias mes të tjerash.

Më herët, ministri gjerman për Europën, Michael Roth u shpreh kundër bllokimit të këtij procesi me dy shtetet ballkanike.

“Bëhet fjalë për besueshmërinë e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Në Këshillin e ministrave të BE-së do të diskutohet për fillimin e shpejtë të bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk e kuptoj pse vendimet e domosdoshme duhet të bllokohen nga konfliktet dypalëshe”, tha ai.

Këtë herë të gjitha vendet ishin pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, madje dhe Holanda, e cila dha Ok para disa ditësh.

Por, konflikti i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut u bë shkak për shtyrjen e hapjes së negociatave edhe për Shqipërinë.