HomeAktualitetDebat

Çështja e vaksinës, ambasada ruse i përgjigjet Ramës: Na vjen keq që vullneti ynë i mirë u mor si provokim

Çështja e vaksinës, ambasada ruse i përgjigjet Ramës: Na vjen keq që vullneti ynë i mirë u mor si provokim

Ambasada ruse në Shqipëri ka reaguar ndaj komenteve që bëri kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në lidhje me çështjen e vaksinës.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama e cilësoi provokim dhe qesharake ofertën që ambasada ruse në Tiranë i bëri Shqipërisë për vaksinën përmes në postimi në rrjetet sociale.

Në reagim, ambasada ruse shkruan se e kanë të vështirë të kuptojnë se pse kryeministri i vendit “u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë më 28 dhjetor.

Ambasada vijon të shpjegojë se vetëm sa “ka reaguar ndaj re-twitit të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së, dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit.”

Sqarimi vijon më tej: “Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë.

Në Rusi nuk ka dyshime se bashkimi i përpjekjeve të të gjitha shteteve, që kanë kryer kërkime shkencore dhe kanë teknologjitë përkatëse, do të ndihmojë njerëzimin të kapërcejë këtë fatkeqësi dhe të kthejë qytetërimin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në të njëjtën kohë, Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë.”

Në përfundim, ambasada ruse shkruan se u vjen keq që “vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese.”