Çfarë po festojmë/ Koha për t’u tërhequr nga
Në një vit normal, sloganet kiç të Festivalit Europian të Këngës, për promovimin e harmonisë dhe këmbëngulja e se muzika e arti qëndrojnë mbi politikën, ndoshta do ta kishin kryer disi më mirë rolin e tyre si zhurmë ideologjike për të na shpërqëndruar nga realiteti me të cilin përballemi prej disa vitesh. Por, kësaj radhe ato do të tingëllojnë edhe më groteske se më parë. Unioni Europian i Transmetimit, me gjithë kërkesat dhe protestat e disa prej shteteve pjesëmarrëse në “Eurovision 2026”, vendosi të enjten e 4 dhjetorit, që të aprovojë pjesëmarrjen e Izraelit në këtë kompeticion, ndonëse Gaza përballet me shkatërrim të tilla përmasave, që e bëjnë të pamundur çdo eufemizëm kur flet për të.
Por, teksa një nga ngjarjet kulturore më të transmetuara ndërkombëtarisht do të vijojë pa pengesa programin e vet, ndërkohë që shumica e vlerave të vetëshpallura të saj janë zhbërë tashmë plotësisht, nuk mund të mos e pyesim veten se çfarë ekzaktësisht po feston Europa dhe ç’do të thotë për Shqipërinë ngjitja në atë skenë, sikur asgjë të mos jetë duke ndodhur jashtë kuadrit që kamerat e « Eurovision 2026 » do të përcjellin në ekranet tona ?
Ka gjithmonë një arsye përse njerëzit duhet të jenë përgjithësisht dyshues ndaj spektakleve. Në pjesën më të madhe të rasteve, ato ekzistojnë për të na shpërqëndruar nga kushtet materiale mbi të cilat ngrihen dhe të cilat përpiqen t’i fshehin. Kushte, që për Shqipërinë u bënë mjaft të qarta një vit më parë, kur një raport i 2024-ës i organizatës Oil Change International, tregoi se për vitin 2023, vendi ynë ishte furnizuesi i katërt më i madh me naftë i shtetit të Izraelit, një hollësi që i ndërlikon pretendimet tona të vetëshpallura si një shtet i vogël, i pafuqishë e, për rrjedhojë, neutral. Këtu nuk kemi të bëjmë me gjeste simbolike dhe as me retorikë, por me ushqyerjen e drejtpërdrejtë me karburant të një makinerie lufte. Fakti që nafta « rrjedh » lirshëm nga një prej shteteve më të varfëra të Europës drejt një konflikti që ka prodhuar në masë viktima civile, ngre pyetje që nuk mund të marrin përgjigje përmes një festivali kënge.
Dhe pyetjet janë :
Çfarë përbën në këto rrethana pjesëmarrja kulturore e Shqipërisë në « Eurovision 2026 », veçse një zgjatim të rreshtimit tonë politik ? Çfarë nënkupton për një shtet të vogël si i yni predikimi i vlerave, ndërkohë që japim kontributin tonë për të mbajtur në lëvizje një makineri lufte që rrafshon shtëpi e spitale ? Edhe për sa kohë mund të bëjmë sikur nuk i shohim këto kontradikta ?
Paradoksi bëhet edhe më i qartë nëse e shohim krahas rolit të Shqipërisë si mikpritëse për herë të dytë e Festivalit Europian të Letërsisë, i prezantuar si një hapësirë « urash dhe harqesh », një pikëtakim ku rrëfimet ushqejnë « arkitekturën e mendimit », duke i lejuar njerëzit të përballen me sfidat globale përmes imagjinatës. Dhjetëra autorë bashkëkohorë europianë u mblodhën për katër ditë në Tiranë për të diskutuar rreth çështjeve të migrimit, kujtesës kulturore, shëndetit mendor, inteligjencës artificiale, etj. – pikërisht tema që Europa këmbëngul se i çmon. Por, ndërsa përshkrimi është mjaft elegant dhe bujar, ai na detyron të ngremë një pyetje me të cilën as organizatorët dhe as ambasadat e përfshira nuk ishin dhe nuk janë të etura të përballen : Ç’vlerë ka një « arkitekturë mendimi » kur lë të paprekur arkitekturën e pushtetit ? A mundet një festival të diskutojë problemin e migrimit dhe zhvendosjes, ndërkohë që Europa fortifikon kufijtë që e krijojnë këtë problem ? A mundet një festival të diskutojë për luftën, teksa Gaza po fshihet nga faqja e dheut në kohë reale, e transmetuar 24 orë në ditë në ekranet tona të telefonave ?
FELT na ftoi të ekzaminonim thyerjet e botës në të cilën jetojmë, por institucionet që e mirëpritën u treguan mjaft të kujdesshme të mos i vinin emër dorës që vazhdon t’i thellojë këto fraktura, duke e kthyer këtë festival të letërsisë në një provë morale ku ndërgjegjia mund të rritet, por jo deri në atë pikë sa të prekë strukturat reale të pushtetit. Ndërsa Shqipëria, si gjithmonë e etur të duket sa më e sofistikuar kulturalisht, iu përmbajt këtij paradoksi në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjatë ditës, mbajtëm panele diskutimi rreth identitetit, zhvendosjes, konfliktit dhe kujdesës, ndërsa në mbrëmje vijuam përgatitjet për të marrë pjesë në një spektakël muzikor, ekzistenca e të cilit varet nga injorimi i të gjitha këtyre çështjeve.
Tani, nuk jemi shquar ndonjëherë si vend për pavarësi politike. Si një shtet periferik, instinkti ynë është rreshtohemi në çdo periudhë historike me më të fortin, nga Stambolli, te Viena, Moska, Pekini, Uashingtoni apo Brukesli, dhe për ta paraqitur nënshtrimin strategjik si qartësi morale. Por, Gaza e ndërlikon këtë kompleks. Në rastin e saj, nuk mund të flitet për neutralitet të pafajshëm retorik. Nuk mund të flitet për mohim, kur provat e përfshirjes materiale dhe morale të Shqipërisë janë tashmë të dukshme.
Ndaj, në këtë pikë duhet të pyesim veten: A e ka Shqipëria luksin të jetë më e frikësuar dhe e ndrojtur se sa vende që kanë shumë më tepër për të humbur? Kur shtete si Irlanda, Spanja, Holanda dhe Sllovenia vendosin të tërhiqen nga edicioni i 2026-ës i Eurovision-it, çfarë na tregon fakti që Shqipëria refuzon edhe ta çojë nëpër mend bojkotin e tij?
Është tunduese ta përfytyrosh Eurovisionin si një spektakël argëtues të padëmshëm, kur roli i tij ideologjik është mjaft i rëndësishëm, pasi projekton një Europë ahstu siç ajo dëshiron të shihet (paqësore, e bashkuar, dashamirëse), kur në fakt është krejt e kundërta e tyre. Megjithatë, kësaj here spektakli duket se e ka të pamundur ta përthithë krizën. Bojkoti nga katër shtete, ka nxjerrë në pah edhe arkitekturën politike të të festivalit. Sot, pjesëmarrja e cilitdo shtet, më shumë se sa çështje tradite është përpjekje për të ndihmuar në rindërtimin e iluzionit të një Europe të bashkuar dhe parimore… Diçka që për Unionin e Europian të Trasnmetimit duket s është më e rëndësishme se sa vdekjet e civilëve në Gaza, por që ç’vlerë ka për ne?
Që të jemi të qartë, askush nuk është aq delirant sa të mendojë se bojokti i Eurovision-it nga Shqipëria do të ndryshojë politikat e shtetit të Izraelit, apo se do të vrasë burracakërinë e Europës. Në fakt, as një bojkot total i këtij spektakli nuk do t’i arrinte këto dy qëllime. Gjithsesi, bojkoti ynë mund të arrijë një rezultat më modest dhe më të sinqertë, duke shmangur pjesëmarrjen në një spektakël që ka nisur të kolapsojë nën peshën e kontradiktave të veta.
Për më tepër, me largimin e Irlandës, Spanjës, Holandës dhe Sllovensië, bojkoti nga Shqipëria do të ishte pjesë e koalicionit të ri që po lind dhe që nuk pranon ta lejojë Eruopën të promovojë harmoni dhe unitet në kurriz të vdekjes. Pjesëmarrja, në anën tjetër, nënkupton indiferencë dhe injorim të realitetit. Ndonëse asnjëra prej të dyjave – as bojkti dhe as pjesëmarrja – nuk do e ndryshojnë dot botën, të paktën bojkoti na ndihmon të shmangim sjelljen absurde si një shtet që bën sikur nuk e di atë që e di mjaft mirë.
Shqipëria nuk mund ta ndalë luftën në Gaza dhe askund tjetër, por sot gjendet përballë pyetjes së thjeshtë se, a duhet që një vend, i cili ka mbështetur materialisht makinerinë e luftës së Izraelit, të ngjitet në skenën e “Eurovision 2026” për t’i kënduar paqes? Nëse kulturës tek ne i ka mbetur ndopak dinjitet, përgjigja e kësaj pyetjeje do duhej të qe mëse e qartë.
Ndonjëherë, i vetmi qëndrim i qartë është t’i largohesh dritës së prozhektorëve, që performanca të vazhdojë pa ne, duke e lejuar heshtjen të trasnmetojë atë çka Europa nuk pranon ta dëgjojë. /Bjorn Runa

